Rajoni

Mes protestave dhe gazit lotsjellës – Joanikije përgëzohet si i pari i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi


Në një situatë të tensionuar, në Cetinje të Malit të Zi është mbajtur ceremonia e shugurimit të Kreu i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije

Mitropoliti Joanikije u përurua të dielën si kreu i ri i degës malazeze të Kishës Ortodokse Serbe në një Manastir në Cetinje pavarësisht kundërshtimeve e protestave.

Ceremonia e mbajtur në ish-kryeqytetin e kombit të vogël ballkanik, megjithatë zemëroi kundërshtarët e kishës serbe në Malin e Zi, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia fqinje në vitin 2006.

Mitropoliti Joanikije dhe Patriarku i kishës Porfirie kishin mbërritur për inaugurimin me helikopter mes masave të rrepta të sigurisë.

Policia përdori gaz lotsjellës kundër protestuesve që qëlluan me armë në ajër dhe hodhën shishe dhe gurë në Cetinje përpara ceremonisë të së dielës.

Raportet e policisë dhe mediave thanë se të paktën shtatë policë dhe disa protestues u plagosën në përleshje, ndërsa të paktën 14 persona u arrestuan.

Rreth 30 për qind e 620.000 banorëve të Malit të Zi e konsiderojnë veten serbë.

Gjukanoviç: Sot në Cetinje, ne ishim dëshmitarë të turpit të madh të Kishës Ortodokse Serbe

Ndërkaq presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka thënë se “vetëm një njeri pa dinjitet” do të lejonte që “të sillej në Manastirin e Cetinjes me helikopter duke u ulur në kryeqytetin malazez dhe nën mbrojtjen e jelekëve antiplumb, dhe kështu të turpëronte fronin e Shën Pjetrit të Cetinjes”.

“Sot në Cetinje, ne ishim dëshmitarë të turpit të madh të Kishës Ortodokse Serbe dhe Qeverisë së Malit të Zi, një turp i paparë në historinë e gjatë të shtetit malazez, dhe njëlloj në historinë e të gjithë Kishës Ortodokse, tha Gjukanoviç.

“Në kryeqytetin malazez, Qeveria malazeze siguroi fronizimin me forcë të Mitropolitit Ioaniki, kundër vullnetit të shumicës dërrmuese të qytetarëve të Cetinjes dhe një numri të konsiderueshëm të qytetarëve malazezë, në Manastirin e Cetinjes, dhe kështu të turpërojë fronin e Shën Pjetrit të Cetinjes’’.

Delegacioni i BE-së dhe shtetet e QUINT-it dënojnë dhunën e shfaqur në Mal të Zi

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian në Podgoricë dënuan të gjitha format e dhunës.

“Individët do të duhet të përgjigjen për veprimet e tyre. Prioriteti në periudhën e ardhshme duhet të jetë krijimi i një dialogu politik demokratik, gjithëpërfshirës dhe konstruktiv, duke përfshirë të gjitha palët që janë sinqerisht të angazhuara për të ardhmen e ndritur evropiane të këtij vendi anëtar të NATO-s, duke respektuar liritë themelore, veçanërisht “liria e shprehjes, liria e tubimit paqësor dhe liria e fesë”, thuhej në deklaratën e përbashkët.

Vuçiç: Ngjarjet në Malin e Zi janë vazhdimësi e ideologjive se Kisha Ortodokse Serbe duhet të shuhet

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se ngjarjet në Mal të Zi janë vazhdimësi e ideologjive sipas të cilave Kisha Ortodokse Serbe duhet të shuhet.

“Plani i tyre politik në Malin e Zi ishte që të ndanin Mitropolitën e Malit të Zi dhe Litoralin nga Kisha Ortodokse Serbe, për ta shpallur fillimisht atë Kishë Ortodokse në Mal të Zi, dhe në atë kohë për t’u asimiluar, zhdukur dhe për të pasur tre të katërtat e shumicës të popullit ortodoks malazez”, deklaroi Vuçiç për TV Prva.

“Ne nuk kemi dhe kurrë nuk kemi pasur për qëllim të nënshtrojmë askënd. Dhe t’i përgjigjemi zotit Gjukanoviç – as ju as askush tjetër nuk do të jeni në gjendje të pushtoni Serbinë dhe ju nuk do ta nënshtroni atë përsëri siç bëtë në 30 vitet e mëparshme”.

Ai shtoi se Serbia u sundua nga Mali i Zi “në të gjitha mënyrat e mundshme, përmes krimit, përmes zyrtarëve të policisë, zyrtarëve politikë, zyrtarëve në strukturat e inteligjencës”, por se ata njerëz “që punuan kundër Serbisë kryesisht u pastruan”.

“Unë po ju them tani, ne nuk duam të qeverisim Malin e Zi, ne duam marrëdhënie vëllazërore dhe miqësore, por ju garantoj, ndërsa jam gjallë, nuk do t’ju lejoj të pushtoni Serbinë ashtu siç e pushtuat. Ju e dini se çfarë do të thotë dhe çfarë duhet të bëni “, përfundoi president serb.

Pse u kundërshtua ceremonia e shugurimit në Cetinje?

Kisha Ortodokse e Malit të Zi është nën Kishën Autoqefale të Serbisë. Ajo synon pavarësimin nga Kisha Ortodokse Serbe.

Qyteti Cetinje, dikur ka qenë kryeqendra e Malit të Zi ndërsa sot konsiderohet si kryeqyteti kulturor dhe historik i këtij vendi.

Vlladimir Veljkoviç një historian nga Serbia që merret me studimet e fesë i tha Radios Evropa e Lirë se pretendimet e Kishës Ortodokse Serbe (KOS) dhe Kishës Ortodokse Malazeze kryqëzohen në Cetinje.

“Në radhë të parë Cetinje është kryeqyteti i vjetër i Malit të Zi dhe nga ana tjetër është gjithashtu selia e peshkopëve malazezë, gjegjësisht Mitropolia e Malit të Zi, dhe tani padyshim që kemi dy koncepte të ndryshme lidhur me simbolikën e Cetinjës”, thotë Veljkoviç.

Kjo nuk është hera e parë që ka pasur tensione në këtë qytet.

Më 1992, Mitropoliti i atëhershëm Amfilohije dërgoi anëtarë të armatosur të formacioneve paramilitare nga Serbia, të udhëhequra nga Zheljko Raznatoviç (i njohur si Arkan), në ambientet e Manastirit të Cetinjës, me arsyetimin se duhet të mbrohet nga “separatistët malazezë”.

Në 30 vjetët e fundit, festat fetare në atë qytet, shënohen në praninë e forcave të shumta policore, pasi përkrahësit e Kishës Ortodokse Serbe dhe asaj malazeze jo-kanonike festojnë të ndarë.

Në fillim të marsit, një grup qytetarësh qëndruan në rrugë derisa delegacioni i Qeverisë së Malit të Zi, vendosi një kurorë me lule mbi varrin e mbretit Nikolla, sovranit të fundit malazez. Qytetarët thërrisnin “çetnikë!” dhe “Mali i Zi nuk do të jetë kurrë bregdeti i detit serb”.

Sesioni i parë pranveror i Parlamentit të Malit të Zi më 25 mars, i cili zakonisht mbahet në Cetinje, u zhvillua nën masa të rrepta sigurie. Derisa zyrtarët po mbërrinin në qytet, rreth dyqind qytetarë u mblodhën dhe brohoritën “Kjo nuk është qeveria jonë” dhe “Tradhti”.

Cetinja ishte i vetmi qytet në Malin e Zi me shumicë ortodokse, në të cilin nuk u organizuan tubime protestuese të Kishës Ortodokse Serbe kundër Ligjit për Liritë Fetare gjatë vitit 2020.

Miratimi i këtij ligji pati shkaktuar tensione të larta në Mal të Zi.

Kisha Ortodokse Serbe ka mbështetjen e një pjese të elitës politike në Mal të Zi dhe pretendon pronësinë e shumë kishave dhe manastireve të cilat i konsideron si të vetat.

Ligji për liritë fetare, ishte miratuar në vitin 2019, në kohën kur në pushtet ishte partia e Gjukanoviçit, dhe kërkonte nga komunitetet fetare të dëshmojnë se janë pronarë të pronave para vitit 1918.

Qeveria e re – që doli pas zgjedhjeve të gushtit 2020 – e ndryshoi ligjin me qëllim që të sigurohet se pronat do të mbeten në dorën e Kishës, që selinë e ka në shtetin fqinj, Serbi.

 Kush e kundërshtoi ceremoninë në Cetinje?

Shoqatat kombëtare malazeze, pothuajse e gjithë opozita e udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit Millo Gjukanoviç dhe përfaqësuesit e komunës së Cetinjës e kundërshtuan ceremoninë e marrjes së detyrës së mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije.

Ata e shohin ceremoninë si një simbol të “pushtimit” të Malit të Zi dhe një përpjekje për ta futur Malin e Zi në të ashtuquajturën “botë serbe”.

Këtë ide e shfaqi për herë të parë ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin.

Vulin tha në një tubim të partisë së tij më 18 korrik, se “detyrë e këtij brezi politikanësh është të krijojë botën serbe” dhe “t’i bashkojë serbët kudo që jetojnë”.

Kundërshtuesit e ceremonisë kanë kërkuar që ajo të mbahet në çdo qytet tjetër malazez, përveç Cetinjës.

Ky qytet nga malazezët konsiderohet si qendër kulturore dhe historike.

Mitropoliti Joanikije i tha Radios Svetigora më herët se “Mali i Zi nuk është vetëm Cetinje”.

“Ata ende nuk kanë krijuar shtetin e tyre të quajtur Cetinje”, potencoi Joanikije.

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore