Lajme

Çka thuhet në “non paper-in” austriak për Ballkanin Perëndimor?


Çfarë mund të bëhet që vendet e Ballkanit Perëndimor të mos e humbin plotësisht shpresën kur bëhet fjalë për anëtarësimin në BE? Shtypi gjerman dhe zviceran shkruajnë për “non-paper-in” austriak mbi këtë temë, por edhe për “veton” bullgare në Shkup.

Neue Zurcher Zeitung shkruan se në lidhje me Ballkanin Perëndimor, Austria po propozon një lloj integrimi gradual në BE. Përmendet një “non-paper”, i debatuar aktualisht në qarqet diplomatike, i konceptuar së fundmi nga ministri i Jashtëm austriak Alexander Schalenberg dhe ministrja austriake për çështjet evropiane Karolina Edstadler.

“Bazuar në supozimin se zgjerimi është instrumenti më i fortë gjeostrategjik i BE-së, të dyja duan ta përdorin atë në mënyrë më produktive: vendet fqinje duhet të lidhen me BE-në shumë më herët dhe hap pas hapi. Kjo krijon stimuj për reforma të mëtejshme. Me heqjen e taksave doganore, ato vende do të mund të eksportonin më lehtë në BE dhe pjesëmarrja e përbashkët në politikat e energjisë dhe ato klimatike do të ndihmonte në uljen e varësisë, veçanërisht nga Rusia. Pjesëmarrja në disa organe të BE-së do të ishte gjithashtu e mundur.

“Çdo hap drejt integrimit mund të pezullohet – nëse nuk arrihet progres”, raporton NZZ.

E përditshmja zvicerane më pas thekson se i dërguari special i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, “vlerëson shumë” qasjen austriake dhe beson se procesi i integrimit “i ndryshon ato vende”.

Caroline Edstadler beson se këtyre vendeve duhet t’u jepet “një perspektivë e besueshme evropiane gjatë pritjes së gjatë”.

“Përndryshe do t’i humbim”. Ajo thotë se “duke iu referuar rënies së shpejtë të mbështetjes për integrim në vende si Serbia”.

Frika nga pritja e pafund

Sipas NZZ, disa kanë frikë se ky koncept do të krijojë një “lloj dhome pritjeje të përhershme”, një version i ri i “Partneritetit Lindor” për vendet e asociuara që nuk do të bëhen kurrë anëtare të plota.

Pyetja kryesore është se Macron dëshiron të nisë një komunitet të ri politik evropian.

“Por pushtimi rus ka mobilizuar vullnetin politik. Nuk ka vakum”.

NZZ gjithashtu thekson se lufta të cilën Rusia po zhvillon në Ukrainë, ka përkeqësuar situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në BeH.

“Atje”, sipas Miroslav Lajçak, “politikanët nga tre entitetet përdorën tensionet midis Lindjes dhe Perëndimit për të forcuar pozitat e tyre në kurriz të të tjerëve”.

Lajçak e ilustron këtë me takimin midis Dodikut dhe Putinit në mes të qershorit dhe i tha NZZ-së se “në vend të kësaj, ne, si komunitet ndërkombëtar, duhet të këmbëngulim që politikanët e BeH-së të ulen dhe të merren me problemet e tyre. Dhe kjo mund të arrihet vetëm përmes stimujve”. Megjithatë, Austria arriti ta bindë BE-në të rishqyrtojë statusin e kandidatit për BeH, nëse vendi miraton reformat përpara zgjedhjeve të tetorit, shton NZZ.

Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut: Veto pas veto-s

Bullgaria vazhdon të bllokojë bisedimet e anëtarësimit në BE me Maqedoninë e Veriut, shkruan Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) .

Gazeta gjermane thotë se “heqja e vetos bullgare” në fillimin e bisedimeve për integrim të Maqedonisë së Veriut me BE-në është në fakt, “duke e rënduar situatën”. Parlamenti në Sofje votoi me shumicë dërrmuese për tërheqjen e vetos, vëren FAZ dhe shton se Qeveria e Shkupit e ka pranuar këtë dhe hedh poshtë kërkesat e Bullgarisë.

“Manovra e Sofjes ngjan më shumë me dinakërinë bullgaro-franceze, e cila e largon Bullgarinë nga vija e frontit dhe ia atribuon suksesin në dukje presidencës franceze të Bashkimit Evropian, të cilës po i vjen fundi – në raport me politikën e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor.

FAZ gjithashtu thekson se Parisi luajti një rol të rëndësishëm në këtë çështje në vitin 2019, duke refuzuar negociatat për integrim me Maqedoninë e Veriut pas zgjidhjes së mosmarrëveshjes së emrit me Greqinë.

“E njëjta gjë po ndodh tani me nxitjen e Bullgarisë, parlamenti i së cilës me 170 nga 240 vota miratoi kërkesa edhe më të gjera dhe të formuluara më me precizitet për Shkupin. Maqedonia e Veriut duhet të përmbushë marrëveshjen e miqësisë bullgaro-maqedonase të nënshkruar në vitin 2017, e cila duhet të monitorohet dhe konfirmohet nga Komisioni Evropian.

Sidoqoftë, Sofia guxon të përcaktojë vetë se çfarë do të thotë të respektosh marrëveshjen në këtë rast – këtu përfshihet edhe pritshmëria që Maqedonia e Veriut t’i bashkohet narratives bullgare të “historisë së përbashkët” në preambulën e kushtetutës. Përveç kësaj, Bullgaria kërkon që pakica bullgare (disa mijëra njerëz) të përfshihen në preambulën e Kushtetutës si popull shtetformues.

Aty përmenden shqiptarët, turqit, vllahët, romët dhe nacionalitetet e tjera, por jo edhe minoriteti serb, i cili, për shembull, është shumë më i madh se ai bullgar. Parlamenti i Sofjes, gjithashtu konfirmoi se Bullgaria në asnjë mënyrë nuk do ta njohë ekzistencën e gjuhës maqedonase në asnjë formë të negociatave me Maqedoninë e Veriut drejt anëtarësimit.

“Sipas interpretimit të Sofjes, maqedonishtja është vetëm një variant i gjuhës bullgare që nuk mund të quhet maqedonase, të paktën jo në Bullgari”, shkruan FAZ.

Shkupi kategorikisht hedh poshtë disa nga kërkesat e reja të Bullgarisë

Në këtë shkrim po ashtu thuhet se nuk është për t’u habitur që kjo gjë refuzohet në Shkup dhe shpreh qëndrimin e përfaqësuar nga Maqedonia e Veriut.

“Qeveria dhe opozita ka shumë të ngjarë të bien dakord për një amendament kushtetues që do të përmendte pakicën bullgare, por nevojiten garanci se kjo nuk do të shoqërohet gjithmonë me kërkesa të mëtejshme nga Bullgaria”.

Gjithashtu, gazeta gjermane thekson se kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, e bën të qartë se negociatat për anëtarësim duhet të hapen para se të fillojë procesi i ndryshimit të Kushtetutës dhe jo anasjelltas.

“Kur bëhet fjalë për çështjet historike, ekziston gatishmëria për të vazhduar debatin e udhëhequr nga Komisioni bugaro-maqedonas i historianëve, por mosmarrëveshja e tyre apo edhe një marrëveshje për një “vështrim të detyrueshëm të historisë” nuk duhet të jetë parakusht për fillimin e negociatave me BE-së. Kërkesat që kanë për qëllim gjuhën apo identitetin maqedonas refuzohen kategorikisht”, raporton FAZ.

Gazeta gjermane thekson se ka disa kërkesa të kuptueshme nga Bullgaria. “Në Jugosllavinë e hershme socialiste, pas ndarjes ndërmjet Stalinit dhe Titos në vitin 1948, bullgarët në Maqedoni iu nënshtruan represionit. Është e kuptueshme që historianët bullgarë do të donin t’i hidhnin një sy arkivave në Shkup.

“Megjithatë, edhe kërkesat e justifikuara ose të paktën të kuptueshme bullgare humbasin në një rrjetë kërkesash dhe pretendimesh absurde”, përfundon FAZ.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore