Lajme

Hovenier ndryshe, Hill ndryshe – a janë dy qëndrime amerikane për zgjedhjet në Veri?


Christopher Hill dhe Jeffrey Hovenier

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ndryshuar qëndrim për sa i përket procesit zgjedhor në Veri të Kosovës.

Kështu të paktën ka deklaruar ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili ndryshe nga kolegu i tij në Beograd, Christopher Hill, ka thënë se Kosova në pajtueshmëri me predispozitat ligjore duhet të mbajë më 23 prill zgjedhjet për kryetarë komunash dhe kuvende komunale në katër komunat e banuara me shumicë serbe në Veri të vendit.

Duke u bërë thirrje të gjithë kandidatëve nga të gjitha partitë politike që të marrin pjesë “në këtë process demokratik”, ambasadori amerikan Hovenier ka tërhequr vërejtjen se “të gjitha përpjekjet për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve përmes kërcënimeve apo përdorimit të dhunës, do të përballen me dënimin e fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar”.

“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë do ta vëzhgojnë këtë proces nga afër”, ka thënë Hovenier, për Radio Evropën e Lirë duke kërkuar njëkohësisht nga Qeveria e Kosovës të dëshmojë ndjeshmëri ndaj shqetësimeve të qytetarëve që jetojnë në Veri të Kosovës.

Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Hill, në anën tjetër kishte thënë se qëndrimi i SHBA-së dhe i shumë shteteve tjera ka qenë që nuk është momenti i duhur për t’i mbajtur zgjedhjet në komunat në Veri të Kosovës.

“Zgjedhjet do të ndodhin, nuk është sekret që ne dhe shumë shtete tjera nuk e kemi konsideruar si kohë të mirë për të pasur zgjedhje. Jemi në një moment kritik dhe të rëndësishëm të dialogut. Mendoj se është e rëndësishme të kuptojmë se problemet mes Kosovës dhe Serbisë duhet zgjidhur në dialog”, kishte thënë Hill.

Ndryshe nga Escobar, Hill thotë se “ShBA-të nuk ishin pro zgjedhjeve në Kosovë”

Të dielën, 23 prill, mbahen zgjedhjet lokale të jashtëzakonshme në 4 komuna. Sic ka njoftuar Komisioni Qendror Zgjedhor, për shkak të sigurisë, shumica e vendvotimeve do jenë në kontejnerë të improvizuar.

Nevoja për zgjedhje erdhi pas bojkotit të orkestruar nga serbët në institucionet e Kosovës, në të gjitha nivelet.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, ka vendosur të mos marr pjesë në zgjedhje.

Kjo ka ngritur pikëpyetje për legjitimitetin e zgjedhjeve, nëse numri i atyre që dalin të votojnë do të jetë fare i vogël.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore