Lajme

Hoti për Qeverinë: Sikur me qenë të interesuar të shkatërrojnë çdo gjë


Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se ndryshimi i projektligjit të ligjit të tatimit në pronë do t’i bëjë lëmsh komunat.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ai ka thënë se ky projektligj do të ketë ndikim negative edhe në të hyrat vetanke të komunave.

“Si i tillë, ky projektligj do të ketë ndikim negativ në të hyrat vetanake të komunave. Do t’i trefishoj normat e tatimit në pronë për prona me vlera të mëdha. Do të vendosë tatimin në parcelat e punuar që me ligjin paraprak ishin të liruara për të nxitur punimin e tokës”, ka shkruar Hoti.

Teksa, ka shtuar se një qasje e tillë do të dëmtojë komunat.

“Kjo qasje është tepër e keqe. Një ndryshim kaq i madh po bëhet pa asnjë konsultim me komunat dhe bizneset, të cilat do të ndikohen negativisht jashtëzakonisht shumë. Kjo qasje ad-hoc tregon mungesën e seriozitetit dhe profesionalizmit në qeverisje. Dëm i madh për ekonominë”.

Ndër të tjera ai ka theksuar se, “këta qeveritarë sikur me qenë të interesuar të shkatërrojnë çdo gjë, e jo të ndërtojnë mbi atë që është ndërtuar deri më tani dhe të përmirësojnë lëshimet e të kaluarës”.

Pa ndonjë analizë se sa rendohet gjendja ekonomike e qytetarëve, pa konsultime me bizneset dhe pa informim paraprak, çmimi për tatimin në prona është dyfishuar.

Për rritjen prej mbi 60 për qind qytetarët u informuan vetëm në momentin kur paguan obligimet e tatimit në pronë.

Në Kosovë përgjegjëse për rritjen e faturimit në prona janë dy institucione: Komunat dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

“Rritja e tatimit në vitin 2023 për shkak të qeverive të kaluara”

Në Kosovë përgjegjëse për rritjen e faturimit në prona janë dy institucione: Komunat dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, e cila udhëhiqet nga Hekuran Murati.

Ministri Murati, fajtor për rritjen e tatimit i kishte lënë Qeveritë e kaluara të cilat ishin në pushtet, të cilat e kishin miratuar ligjin për tatimin në pronë në vitin 2018.

“Pra, ky ligj fillimisht ishte miratuar me datën 4 maj të vitit 2018 kur ministër i Financave ka qenë Avdullah Hoti. Mirëpo, ky ligj nuk kishte arritur të miratohet në Kuvendin e Republikës dhe të hyjë në fuqi, sepse Qeveria ishte rrëzuar dikund një javë më vonë, pra me datën 10 maj”.

Për të njëjtin ligj, ministri ka thënë se ishte dërguar sërish në Kuvend në kohën e qeverisjes së Haradinaj.

“Më pastaj i njëjti ligj është proceduar në Qeverinë Haradinaj, disa muaj më vonë dhe me 26 janar është publikuar në gazetën zyrtare dhe ka hyrë në fuqi ndërsa në Kuvend ishte miratuar gjatë muajit nëntor ose dhjetor”.

“E më pas ky ligj i ka caktuar disa afate dhe kushtet të cilat i obligojnë institucionet e vendit që të respektohen. Ky ligj i miratuar në vitin 2018, ka paraparë që sipas ‘nenit 7’, të këtij ligji në vitin e pestë të zbatimit të ligjit të hyj në fuqi tatimi 100 për qind i tokave”.

Rritje në tatim tek disa prona është dyfishuar për shkak se ka filluar të llogaritet edhe tatimi i tokave.

“Më përpara s’ka qenë tatimi i tokave, prej hyrjes në fuqi të këtij ligji kanë filluar të tatimohen edhe tokat që nga viti 2018 e këndej. Dhe viti i pestë pra viti 2023, është viti ku ligji aplikohet nuk është marrë asnjë vendim sepse ky ligj e ka përcaktuar qysh në vitin 2018 që tokat duhet të tatimohen”.

Për të ndryshuar çmimet e tatimeve, nga Qeveria Kurti është thënë se po hartohet një ligj i ri, se kur do ta zëvendësojë këtë tjetrin, akoma s’dihet gjë.

Qytetarët qindra ankesa, Qeveria asnjë përgjigje – A do ta ndryshojë kush ligjin që çoi në qiell çmimin e tatimit në pronë?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore