Lajme

Qytetarët qindra ankesa, Qeveria asnjë përgjigje – A do ta ndryshojë kush ligjin që çoi në qiell çmimin e tatimit në pronë?


Foto: Albanian Post.

Hajriz Saraçi jeton në Prishtinë, në të njëjtën shtëpi që ka jetuar edhe para 2 vjetësh. Asgjë s’ka ndryshuar, përveç shifrës që duhet ta paguajë si tatim për të – dyfish më e lartë se më parë.

Kjo për arsye se me ligjin e ri, takimi rritet dhe gjithashtu paguhet takim edhe për tokën që uzurpon shtëpia.

“Unë po shpresoj që vendimi do të pezullohet”, thotë Saraçi nga Prishtina pas rritjes së madhe.

Çmimi që i ka ardhur për të paguar tatimin e shtëpisë jo vetëm që është më i madh se më parë, por “është i papërballueshëm”, thotë ai.

Afati i pagesës është në prill, por njëherë s’e ka ndërmend ta paguaj, të paktën deri të qartësohet se cili do jetë vendimi final nga Qeveria – e qeveria vështirë se do të ndryshojë gjë.

“Rritja e tatimit është e papërballueshme, sepse populli nuk ka buxhet për të paguar shuma aq të larta në tatim. Në qytet ku të lëvizësh ka persona që kërkojnë të holla, ndërsa Qeveria ka mjaftueshëm, është absurde ta dëgjojë dikush këtë”, thotë ai.

Kërkesa për ndryshimin e këtij ligji është bërë, mirëpo përgjigje akoma nuk është pranuar nga ana e Qeverisë.

Ankesat për mostransparencë nga Qeveria i kanë edhe komunat.

Ilustrim.

A janë duke e paguar tatimin qytetarët?

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, përmes një përgjigje për Albanian Post sqaron se kërkesën për ndryshim të këtij ligji e kanë pasur të gjitha komunat.

“Ne e kemi bërë kërkesën përmes së cilës kryetarët e komunave kanë kërkuar që gjithçka të kthehet në pikën zero, që të mos ketë ngritje të tatimit në pronë, mirëpo jemi duke shpresuar që niveli qendror të kthejë përgjigje”, thotë Ibrahimi për AP.

“Qeveria nuk është bashkëpunuese, nuk u kthejnë përgjigje as kryetarëve të komunave e as Asociacionit të Komunave të Kosovës, prandaj nuk e dimë se kur mund të pranojmë përgjigje”.

Ai tutje thotë se ky ligj ka hyrë në fuqi pa asnjë diskutim me komunat.

Edhe pse kanë qenë banorët e komunave ato të cilat kanë qenë më të ndikuarat nga ky vendim.

“Ligji është proceduar pa asnjë konsultë me komunat edhe pse komunat janë të prekura, është hera e parë që Qeveria nuk i konsulton komunat për një ligj të tillë”.

Ibrahimi edhe me dërgimin e kërkesës s’pret ndryshime.

“Sipas draftit që e kam parë nuk do të ketë zbritje të tatimit në pronë, në disa raste do të ketë edhe rritje”.

Mirëpo, thotë se ata të cilët kanë mbetur në pritje janë qytetarët.

“Mosqartësia po shkakton konfuzion edhe tek qytetarët, për shkak se ata janë në pritje dhe janë duke pritur sqarim nga ministri Hekuran Murati, pasi në disa raste ka dyfishim të çmimit të tatimit në pronë”.

Teksa shton se me këtë qasje pa konsulta me komuna, “nuk e di pse duhet të ekzistojnë komunat”.

667 ankesa, vetëm 197 në shqyrtim

Arlinda Kastrati, zyrtare për komunikim nga Komuna e Prishtinës, përmes një përgjigje me shkrim për Albanian Post ka konfirmuar se ka qytetarë të cilët e kanë paguar tatimin me rritje.

“Po, kemi tatimpagues të cilët janë të rregullt dhe e kanë kryer obligimin ligjor duke kryer pagesat e tatimit ne pronë”.

Mirëpo, një pjesë e tyre kanë dorëzuar ankesa, ku vetëm një numër i caktuar është duke u marrë parasysh.

“Gjithsej, kemi 667 ankesa, por për vlerë  të lartë  janë  197  të cilat janë duke u shqyrtuar, ndërsa pjesa tjetër e ankesave ka të bëjë me ndërrimin e pronarëve, njësive, apo parcelave të ndryshme”, thotë Kastrati për Albanian Post.

Për ekonomistin Erton Bega rritja e këtyre vlerave për tatimin në pronë përtej se e gabuar, është edhe një “shpërfaqje e injorancës së qeverisë”.

“Në vend që ta lehtësoj mbijetesën, qeveria zgjodhi ta rëndojë edhe më shumë situatën socio-ekonomike duke vlerësuar pronat pothuajse 100 për qind më shumë se sa që ishin të vlerësuara, dhe për rrjedhojë pothuajse dyfishoj tatimin në pronë”.

Bega shton se, “nëse ka profiter të krizës së çmimeve, atëherë po rezulton të jetë qeveria që vendosi inflacion rekord në këtë shërbim komunal”.

Pa ndonjë analizë se sa rendohet gjendja ekonomike e qytetarëve, pa konsultime me bizneset dhe pa informim paraprak, çmimi për tatimin në prona është dyfishuar.

Për rritjen prej mbi 60 për qind, qytetarët u informuan vetëm në momentin kur paguan obligimet e tatimit në pronë.

“Rritja e tatimit në vitin 2023 për shkak të qeverive të kaluara”

Në Kosovë përgjegjëse për rritjen e faturimit në prona janë dy institucione: Komunat dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, e cila udhëhiqet nga Hekuran Murati.

Ministri Murati, fajtor për rritjen e tatimit i kishte lënë Qeveritë e kaluara të cilat ishin në pushtet, të cilat e kishin miratuar ligjin për tatimin në pronë në vitin 2018.

“Pra, ky ligj fillimisht ishte miratuar me datën 4 maj të vitit 2018 kur ministër i Financave ka qenë Avdullah Hoti. Mirëpo, ky ligj nuk kishte arritur të miratohet në Kuvendin e Republikës dhe të hyjë në fuqi, sepse Qeveria ishte rrëzuar dikund një javë më vonë, pra me datën 10 maj”.

Për të njëjtin ligj, ministri ka thënë se ishte dërguar sërish në Kuvend në kohën e qeverisjes së Haradinaj.

“Më pastaj i njëjti ligj është proceduar në Qeverinë Haradinaj, disa muaj më vonë dhe me 26 janar është publikuar në gazetën zyrtare dhe ka hyrë në fuqi ndërsa në Kuvend ishte miratuar gjatë muajit nëntor ose dhjetor”.

“E më pas ky ligj i ka caktuar disa afate dhe kushtet të cilat i obligojnë institucionet e vendit që të respektohen. Ky ligj i miratuar në vitin 2018, ka paraparë që sipas ‘nenit 7’, të këtij ligji në vitin e pestë të zbatimit të ligjit të hyj në fuqi tatimi 100 për qind i tokave”.

Rritje në tatim tek disa prona është dyfishuar për shkak se ka filluar të llogaritet edhe tatimi i tokave.

“Më përpara s’ka qenë tatimi i tokave, prej hyrjes në fuqi të këtij ligji kanë filluar të tatimohen edhe tokat që nga viti 2018 e këndej. Dhe viti i pestë pra viti 2023, është viti ku ligji aplikohet nuk është marrë asnjë vendim sepse ky ligj e ka përcaktuar qysh në vitin 2018 që tokat duhet të tatimohen”.

Për të ndryshuar çmimet e tatimeve, nga Qeveria Kurti është thënë se po hartohet një ligj i ri, se kur do ta zëvendësojë këtë tjetrin, akoma s’dihet gjë.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore