Lajme

Murati fajëson Qeveritë e kaluara për rritjen e tatimit, “ne jemi duke hartuar ligj të ri”


Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati në një konferencë për media ka sqaruar se si ka ardhur situata deri tek rritja e tatimit në pronë.

Murati, fajtor për rritjen e tatimit i ka lënë Qeveritë e kaluara të cilat ishin në pushtet, të cilat e kishin miratuar ligjin për tatimin në pronë në vitin 2018.

“Ligji i cili ka qenë i miratuar në vitin 2018 për tatimin në pronë. Pra, ky ligj fillimisht ishte miratuar me datën 4 maj të vitit 2018 kur ministër i Financave ka qenë Avdullah Hoti. Mirëpo, ky ligj nuk kishte arritur të miratohet në Kuvendin e Republikës dhe të hyj në fuqi sepse Qeveria ishte rrëzuar dikund një javë më vonë, pra me datën 10 maj”.

Për të njëjtin ligj, ministri ka thënë se ishte dërguar sërish në Kuvend në kohën e qeverisjes së Haradinaj.

“Më pastaj i njëjti ligj është proceduar në Qeverinë Haradinaj, disa muaj më vonë dhe me 26 janar është publiku në gazetën zyrtare dhe ka hyrë në fuqi ndërsa në Kuvend ishte miratuar gjatë muajit nëntor ose dhjetor”.

“E më pas ky ligj i ka caktuar disa afate dhe kushtet të cilat i obligojnë institucionet e vendit që të respektohen. Ky ligj i miratuar në vitin 2018, ka paraparë që sipas “nenit 7″, të këtij ligji në vitin e pestë të zbatimit të ligjit të hyj në fuqi tatimi 100 për qind i tokave”.

Rritje në tatim tek disa prona është dyfishuar për shkak se ka filluar të llogaritet edhe tatimi i tokave.

“Më përpara s’ka qenë tatimi i tokave, prej hyrjes në fuqi të këtij ligji kanë filluar të tatimohen edhe tokat që nga viti 2018 e këndej. Dhe viti i pestë pra viti 2023, është viti ku ligji aplikohet nuk është marrë asnjë vendim sepse ky ligj e ka përcaktuar qysh në vitin 2018 që tokat duhet të tatimohen”.

Për të ndryshuar çmimet e tatimeve, Qeveria Kurti është duke hartuar një ligj të ri.

“Ne si Qeveri veç i kemi ndërmarrë hapat e nevojshme qysh më herët, sepse kemi paraparë ndryshim të ligjit. Ne kemi filluar hartimin e ligjit të ri dhe aty parashihet të trajtohen një sërë prej problemesh apo çështjeve që i kemi parë se mund të jenë problematike”.

Mirëpo, masa më të ashpra ka thënë Murati pritet të ketë për personat që kanë një numër të objekteve të cilat nuk i shfrytëzojnë.

“Ata që kanë shumë banesa për shembull 10 banesa pa i shfrytëzuar kjo situatë nuk duhet të vazhdojnë, tatimi progresiv do ta ndihmojë që të mos ketë bllokim të kapitalit nga disa persona, për shkak se kushton shumë lirë ose shumë pak për t’i mbajtur ato prona të bllokuara”.

Për mosmarrëveshjet që janë krijuar mes Qeverisë dhe Komunave, ai u shpreh se të njejtat janë njoftuar shumë më herët për këtë vendim.

Ndaj, këtij ligji kishin reaguar vetëm 3 nga komunat.

“Komunat këtë raport e kanë pranuar më 31 tetor dhe që nga kjo datë kanë pasur kohë që të përgjigjen dhe reagojnë, kanë reaguar disa komuna kanë qenë tri. Ku në disa raste është kërkuar që të rishkohen vlerat e tokës disa për lartë e disa për ulje”.

Murati s’ka përgjigje për vlerën e koeficientit

I pyetur nga gazetarët për vlerën monetare të koeficientit të pagave, rrëzimin e vendimit të Qeverisë nga gjykatat që i shfuqizon pagat e gjyqtarëve e prokurorëve, shtesat për policët dhe dëmet nga vërshimet, Murati nuk u përgjigjë konkretisht nga asnjërën prej tyre.

Pasi sipas tij, “nuk kishte lidhje asnjëra me temën”.

“Disa prej çështjeve që u ngritën edhe për koeficientin edhe për vendimet gjyqësore ose ju takojnë dikastereve të tjera që besoj ose mund të ju drejtohuni ose me kërkesë me shkrim ose me intervistë, sa i përket vërshimeve jemi duke pritur vlerësimet e pastaj do të kemi një metodologji për t’i ndihmuar”.

Lidhur me rritjen e çmimeve të tatimeve në pronë ka pasur reagime të shumta edhe nga ana e opozitës. Të njëjtit janë tallur me Qeverinë.

Konferenca e Muratit vjen pas bojkotimit të gazetarëve nga konferenca e kaluar e ministrit që ishte paraparë të mbahej më 25 janar.

Sipas gazetarëve që kanë qenë duke e përcjellë mbledhjen, vazhdimisht pas përfundimit të takimeve të ekzekutivit, ju bie të presin deri një orë për konferencë.

Të mërkurën, para se të largoheshin nga salla e konferencave gazetarët kanë pritur 40 minuta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore