Lajme

Hoti, Kurtit: Mund t’i thuash jo dialogut për dinarin, por pastaj s’mundesh


Avdullah Hoti dhe Albin Kurti

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pasi Banka Qendrore e Kosovës konfirmoi për Albanian Post se do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Bashkimi Evropian që do të mbahet të martën e 27 shkurtit në Bruksel të Belgjikës për të diskutuar mbi ndalimin e përdorimit të dinarit serb në territorin kosovar.

“Qeveritarët ‘e ndritur’ të Kosovës nuk deshën të arrijnë dakordim në Prishtinë me aleatët. Por pranojnë që këtë çështje ta diskutojë me Serbinë në Bruksel në kuadër të dialogut. Kjo nuk do koment. Këto janë pasojat kur vendimmarrja shtetërore i nënshtrohet interesit elektoral. Mund t’i thuash jo dialogut në Bruksel për dinarin, por pastaj nuk mundesh”, shkroi Hoti në Facebook.

Sipas deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, para dy jave, Kosova u kritikua në Këshillin e Sigurimit për vendime të pakoordinuara dhe se kritikat nuk ishin vetëm nga Kina e Rusia, por nga aleatët që Kosovës ia sigurojnë kufijtë.

“Gjatë këtyre dy javëve, aleatët kanë kërkuar me ngulm koordinim në Prishtinë vetëm për evitim të pasojave për qytetarët e Kosovës të komunitetit serb. Asgjë tjetër nuk kanë kërkuar”, potencoi ai.

Ndryshe, BE-ja ftoi Kosovën dhe Serbinë për të negociuar mbi dinarin në një takim që do të zhvillohet të martën në një vjetorin e Marrëveshjes së Brukselit. Ftesa u bë pas takimeve që Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, zhvilloi me kryeministrin kosovar, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, javën e kaluar në Mynih të Gjermanisë.

Ndërkaq, dy ditë para takimit të paraparë në kryeqendren evropiane që pritet t’i kushtohet ekskluzivisht rregullores së BQK-së mbi operacionet me para ta gatshme në vend, ku përfshihet edhe ndalimi i përdorimit të dinarit serb për transaksione në Kosovë, mediat serbe raportuan se kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, do të përfaqësojë palën serbe në Bruksel.

Kosova u thotë “Jo” negociatave politike për dinarin serb – Serbia e çon Petkoviçin te Lajçaku në Bruksel

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore