Lajme

Hoti: Kundërshtuesit e marrëveshjes së Uashingtonit po i bartin pasojat


Ish kryeminstri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, në tre vjetorin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, ka thënë se ishte kundërshtuar nga populistët që sot janë në pushtet.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Hoti ka thënë se ishte ofenduar në kohën kur kishte nënshkruar këtë marrëveshje për të cilën ka thënë se është “më e rëndësishmja” për Kosovën që nga shpallja e pavarësisë.

“Janë thënë shumë të pavërteta për Marrëveshjen e Uashingtonit nga opozita e atëhershme. Cilësimi i një marrëveshje që është arritur në Shtëpinë e Bardhë si e dëmshme dhe e rrezikshme për Kosovën ishte gabim strategjik. Pasojat po i bartin çdo ditë”.

“Unë personalisht jam fyer e sharë nga opozita e atëhershme. Ata populistë sot janë në Kuvend, Qeveri dhe Presidencë. Sot, është e qartë se ato epitete i meritojnë ata, jo unë”.

“Sot, është e qartë se ata persona: ose janë mashtrues, ose janë naivë në marrëdhëniet ndërkombëtare, ose kanë tjetër orientim për Kosovën. E di secili prej tyre se në cilën kategori bien. E di edhe unë”, ka shkruar Hoti.

Ai tutje ka sqaruar edhe nevojën dhe arsyeshmërinë e kësaj marrëveshje.

“Shtetësia e Kosovës, në kuptim të së drejtës ndërkombëtare, është konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Por, subjektiviteti i jonë ndërkombëtarë nënkupton nevojën tonë, si dhe obligimin karshi mbështetësve të shtetësisë tonë, për të normalizuar marrëdhëniet me fqinjët”.

“Para arritjes së kësaj marrëveshje, është komunikuar intensivisht me partnerët për vendosjen e dialogut në agjendë të qartë, e cila çon në njohje reciproke. Kjo qasje është pranuar gjerësisht nga partnerët”.

“Dhe, si rezultat, në verën e vitit 2020, ka nisur dialogu në Bruksel për njohje reciproke, bazuar në parimin se nuk bisedohet për territore dhe as për organizimin kushtetues të shtetit të Kosovës; nuk ka dialog teknik si në të kaluarën; nuk merremi vesh për asgjë derisa të merremi vesh për gjithçka, duke nisur nga njohja reciproke”.

Hoti ka shtuar se për këto arsye marrëveshja e Uashingtonit duhet parë si hap i madh për “normalizim të plotë”.

“Marrëveshjen e Uashingtonit duhet parë si hap i madh drejt normalizimit të plotë, me njohje reciproke, mes dy vende, siç ceket në letrat e vazhdueshme të presidentëve amerikanë drejtuar Kosovës dhe Serbisë”.

Çka është marrëveshja e Uashingtonit dhe si u arrit?

Marrëveshja e Uashingtonit për normalizim ekonomik është nënshkruar me 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë nga ana e Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në prani të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Sipas kësaj marrëveshje Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë disa marrëveshje si atë për autostradën Prishtinë-Beograd, marrëveshjen për hekurudhave duke u përkushtuar në studimin e fizibilitetit për mundësitë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore mes dy vendeve dhe me një me një port në det të thellë në Adriatik.

Po ashtu kjo marrëveshje parasheh që të dy vendet të punojnë me Korporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM, në memorandumet e mirëkuptimit, për të operacionalizuar autostradën, hekurudhat dhe sigurimin e financave.

Marrëveshja si e tillë përmban shumë tema të përbashkëta të të dy vendeve, disa prej tyre tashmë janë hapur si ajo e “Mini-Shengenit”.

Një pikë e marrëveshjes thotë se “Kosova (Prishtina) do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare”

Ndërsa për Serbinë thotë se do të “pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur. Të gjitha marrëveshjet për të hequr dorë do të hyjnë në fuqi menjëherë”.

Marrëveshja e Uashingtonit për normalizim ekonomik

Si pika më e fuqishme në kohën kur Kosova kishte një stagnim të gjatë në njohje të shtetit parasheh kjo marrëveshje, atë të njohjes së Izraelit

“Kosova (Prishtina) dhe Izraeli pajtohen të njohin njëri-tjetrin”.

Kosova tashmë ka hapur Ambasadën e saj në Jerusalem duke lidhur raporte diplomatike me Izraelin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore