Kosova

Hapet Ambasada e Kosovës në Jerusalem


Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, përmes një shkrimi në faqen zyrtare në Facebook, ka njoftuar se zyrtarisht është hapur Ambasada e Kosovës në Jerusalem.

“Bazuar në Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit 2020, ku zyrtarizohet njohja e ndërsjellë mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit dhe Zotimit të Qeverisë së Kosovës ndaj Qeverisë izraelite dhe Administratës amerikane dhe veprimet që janë ndërmarrë nga 1 shkurti, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ju njofton se tashmë është hapur edhe zyrtarisht Ambasada e Kosovës në Shtetin e Izraelit, me seli në Jeruzalem”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Zbulimin e pllakës së kësaj ambasade e ka bërë ministri i Jahtëm i Shtëtit të Izraelit, Gabriel Ashkenazi.

MPJD në pamundësi që të marrë pjesë “ka udhëzuar të Ngarkuarën me Punë në Izrael që Pllakën e zbuluar nga Ministri Ashkenazi, bashkë me flamurin shtetëror, ta vendosë në objektin e Ambasadës së Kosovës në Jeruzalem”.

Vendosja e pllakës dhe flamurit shtetëror në Ambasadën e Kosovës në Izrael “reflekton përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përmbushur zotimin e dhënë për vendosjen e misionit diplomatik në Jeruzalem”, vijon njoftimi.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Jeruzalem “do të përkushtohet fuqimisht për të rritur bashkëpunimin bilateral dhe për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”.

Me një shkurt është nënshkruar zyrtarisht lidhja e marrëdhënieve diplomatike në mes të Republikës së Kosovës dhe shtetit të Izraelit nëpërmjet një ceremonie virtuale.

Por një muaj më pas Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, i ka premtuar ambasadorit turk në Kosovë, Çağri Sakar, se do ta shqyrtojë vendimin e Kosovës për vendosjen e ambasadës në Jerusalem.

Në Shtëpinë e Bardhë, Kosova ka nënshkruar një listë zotimesh në atë që njihet si marrëveshja e katër shtatorit ku njohja e Kosovës nga Izraeli me kushtin që ambasada të vendoset në Jerusalem ka qenë njëra ndër pikat në marrëveshje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore