Kosova

Hill: S’ka asgjë unike në çështjen e Banjës – janë probleme që i kemi parë edhe më herët


Christopher Hill

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, beson se si Kosova ashtu edhe Serbia, por edhe komuniteti ndërkombëtar duhet të përqendrohen në atë se çfarë ka ndodhur saktësisht në Banjë të Zveçanit më 24 shtator dhe kush është përgjegjës, kur u pyet për kërkesën e SHBA-ve se edhe Serbia duhet të marrë pjesë në hetimin e sulmit terrorist.

Në pyetjen se si i komenton mesazhet politike në lidhje me sulmet terroriste në Banjë, meqë Serbia, ndryshe nga Kosova, po pretendon se sulmuesit nuk janë terroristë, diplomati amerikan thotë se “çështja se kush është terrorist dhe kush është diçka tjetër është një pyetje e vjetër”.

“Kjo nuk është hera e parë që ndodhi. Ne shpesh flasim për këto situata unike në Serbi dhe Kosovë. Epo, nuk ka asgjë unike për këto lloj situatash. Ne kemi parë këto lloj problemesh edhe më herët”. thekson ai në një intervistë për Radio Evropën e Lirë.

I pyetur se si duhet të arrihet bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Serbisë për çështjen e hetimit të sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, meqë të dyja vendet kanë interpretime krejtësisht të kundërta, Hill thekson se “kjo është arsyeja pse duhet ndërmjetësimi në këtë fazë”.

“Pala serbe ka thënë se do ta bëjë një hetim të plotë. Të njëjtën gjë po e bën edhe pala kosovare. Mendoj se SHBA-ja po vëzhgon me shumë vëmendje. E gjitha – me qëllim që të sigurohemi se ka përgjegjësi dhe nuk përsëritet më. Pra, është një faktor i madh”.

Kosova po kërkon me ngulm ekstradimin e terroristit, Milan Radojiçiç, në Kosovë, meqë ai morri pjesë në sulmin e 24 shtatorit, ndërsa Serbia refuzon në mënyrë kategorike një kërkesë të tillë.

Për Hill, Radojiçiç, përmes avokatit të tij, ka marrë një përgjegjësi për atë se çfarë ndodhi dhe se, sipas tij, në këtë çështje duhet të ketë një llogaridhënie të plotë.

“Do të doja të shihja se cili do të ishte procesi në të ardhmen me Radojiçiç. E kuptoj që është në Serbi, i është thënë të mos largohet, dhe, në të vërtetë, i është thënë ta presë një proces penal në të ardhmen. Pra, le të shohim se si do të shkojë”.

Hill: Herët të themi se dialogu Kosovë-Serbi është i pasuksesshëm

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore