Lajme

Hill: Është ende herët të vlerësohet rezultati i takimit Kurti-Vuçiç   


Christopher Hill

Duke folur për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill ka thënë se është ende herët për të vlerësuar rezultatin e takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel dhe se duhet të pritet edhe takimi i 18 Marsit në Maqedoninë e Veriut, për të konstatuar diçka.

“Unë mendoj se po shkon në drejtimin e duhur, por duhet të presim dhe të shohim sepse askush nuk ka rënë dakord për asgjë ende”.

Sipas tij shumë njerëz e shohin Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe si test për seriozitetin e bashkësisë ndërkombëtare.

Beogradi zyrtar, sipas diplomatit Hill, duhet të marrë një vendim për sanksionet kundër Rusisë, pasi sipas tij, ky vend po paguan çmim të lartë për mos-harmonizimin e politikës së saj të jashtme me Bashkimin Evropian kur në pyetje janë sanksionet.

“Është shumë e rëndësishme që Serbia të mos pres të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, por që në procesin e anëtarësimit të harmonizojë politikën e saj me BE-në, duke përfshirë edhe çështjen e vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë”, thotë top-diplomati amerikan, transmeton mediumi opozitar serb, Danas.

I pyetur se çfarë e ngadalëson më shumë përparimin e Serbisë drejt BE-së – mos vendosja e sanksioneve kundër Moskës, progresi i pamjaftueshëm në dialogun me Prishtinën, gjendja e demokracisë apo problemet brenda vetë BE-së, ambasadori Hill tha se përgjigja më e sinqertë do të ishte “të gjitha bashkë”.

“Serbia ka bërë shumë progres. Nuk pajtohem me pesimistët që thonë se Serbia po shkon në drejtim të keq. Serbia po shkon në drejtimin e duhur. E di që është jashtëzakonisht e vështirë dhe e ngadaltë, por ajo është në rrugën e duhur dhe ne do ta mbështesim sa më shumë që të mundemi”, ka shtuar ai.

Sipas Hill marrëdhëniet politike dhe ekonomike ndërmjet Serbisë dhe SHBA-ve janë duke u përmirësuar.

“Jam i kënaqur me bisedën e fundit mes presidentit Vuçiç dhe sekretarit të shtetit Anthony Blinken dhe se gjërat janë të mira në planin ekonomik. Për marrëdhënie më të mira është e nevojshme që të ketë sa më shumë takime në nivelin më të lartë. Kompanitë amerikane janë të pranishme në Serbi, janë kompani të klasit të parë, me teknologji moderne, jo teknologji të viteve shtatëdhjetë”.

Sanksionet kundër Rusisë, lëvizja që do ta ndikojë shumë dialogun në Bruksel

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore