Lajme

Sanksionet kundër Rusisë, lëvizja që do ta ndikojë shumë dialogun në Bruksel


Ilustrim

“(Josep) Borrell më ka qortuar për mos-vendosje të sanksioneve ndaj Rusisë”, “Serbia po kritikohet ashpër”, “Nuk e di deri sa mund të durojmë pa vendosur sanksione, Serbia po paguan një çmim të rëndë për këtë”, janë vetëm disa nga deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në dy javët e fundit të cilat kanë dhënë indikacione se Beogradi zyrtar po përgatit terrenin për harmonizimin e politikës së saj të jashtme me atë të Bashkimit Evropian, kur në pyetje janë sanksionet ndaj Rusisë.

Duke komentuar këto deklarime, gazetari i mediumit opozitar në Serbi, Nova.rs, Vojislav Milovançeviç, konstaton se ditët kur Serbia do ta sanksionojë Rusinë nuk janë larg.

“Askush nuk mund të thotë me siguri nëse Serbia do të vendosë sanksione ndaj Rusisë apo jo, sepse ai vendim është në kokën e një njeriu, presidentit Vuçiç. Megjithatë, nëse gjykojmë sipas ngjarjeve që kemi parë në periudhat paraprake, retorika gjithnjë e më e ashpër e mediave pro regjimit ndaj Moskës dhe Putinit, atëherë mund të themi se ai moment po afron”, thotë Milovançeviç për Albanian Post.

Ndryshe nga gazetari serb ligjëruesi i Shkencave Politike, Dritëro Arifi, shpreh bindjen se vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë mund të ndodh vetëm me një kusht – nëse Serbia vlerëson dhe kupton se Rusia do ta humbë luftën në Ukrainë.

Ndërsa për ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhajn, Serbia nuk do të vendos sanksione ndaj Rusisë për aq kohë sa ajo mund të rezistojë.

“Nuk ka ndonjë presion edhe shumë të madh perëndimor lidhur me vendosjen e sanksioneve”, thotë Hoxhaj fillimisht, duke shtuar se Serbia po bënë një lojë të dyfishtë në këtë aspekt.

“Në OKB Serbia deri më tani është rreshtuar me shumicën e vendeve në mbrojtje të sovraniteti të Ukrainës dhe ka mbështetur me votë rezoluta që dënojnë agresionin ndërsa ajo nuk është rreshtuar me BE-në duke ndjekur një politik të kundërt me perëndimin për sa i takon sanksioneve ndaj Rusisë”, thotë ai për Albanian Post.

Por, çka nëse Serbia vendos sanksione Rusisë?

Me vendosjen e sanksioneve, argumenton më tej Arifi, është e nënkuptueshme se pozicioni i Serbisë do të fuqizohet në raport me Kosovën në procesin e dialogut.

“Sepse edhe Kosovës do t’i kërkohet pastaj të bëjë kompromise. Rreshtimi i Serbisë në krah me interesat e botës perëndimore do ta qetësonte rajonin në planin afatgjatë sepse interesat e Rusisë nuk do të mund të depërtonin më në asnjë vend të Ballkanit Perëndimor, kjo do të ishte një fitore e madhe për SHBA-të dhe BE-në”, shton ai.

Vojislav Milovançeviç, Dritëro Arifi dhe Enver Hoxhaj

Se vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë mund të ketë implikime në procesin e dialogut e thotë edhe gazetari serb, Milovançeviç.

Megjithatë, sipas tij, sanksionimi i Rusisë do të kenë një kosto për Beogradin zyrtar, e jo për Kosovën.

“Ajo që më duket e mundur është se Moska do të ndalojë mbështetjen për Serbinë në Kombet e Bashkuara nëse kjo e fundit vendosë sanksione. Unë supozoj se me përfundimin e negociatave, roli i Rusisë do të jetë dukshëm i ndryshëm dhe se potenciali i saj shantazhues në raport me Serbinë kur është fjala për mbështetjen në Kombet e Bashkuara, do të jetë dukshëm më i dobët”, argumenton Milovançeviç.

Me tezën se rreshtimi i Serbisë kah bota perëndimore ndikon mbi rezultatin e dialogut pajtohet edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj.

“Nëse supozojmë se Serbia do të vendosë sanksione të fuqishme dhe Rusia si shenjë hakmarrjeje do të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj Kosovës, kjo do të kishte ndikim mbi rezultatin e dialogut, por kjo nuk ndodh as në imagjinatë aktualisht”, shton ai.

Serbia është i vetmi vend në hemisferën perëndimore e cila po refuzon ta harmonizojë politikën e saj të jashtme me atë të BE-së në raport me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainë.

Megjithatë opinioni publik në Serbi ka filluar të besojë në “zbutjen” e Vuçiç’it në raport me kërkesën e komunitetit ndërkombëtar për sanksionet.

Në një analizë të publikuar së fundmi nga Demostat – organizatë jo qeveritare në Serbi – shkruhej se Beogradi zyrtarë tashmë veçse ka filluar rrënimin e kultit të Vladimir Putinit, i cili është një kthesë e qartë e politikës së jashtme të Serbisë drejtë BE-së

Kulti i presidentit rus, thuhet në analizë, do të dekonspirohet nga ai që e ndërtoi me kujdese për një dekadë, duke e përdorur atë për të përmirësuar imazhin e tij – presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Mjetet që do të përdoren për të shkatërruar mitin e Vladimir Putin’it janë të njëjtat që u përdorën për ta krijuar atë”.

Analiza në fjalë ndër të tjera argumentonte se ndryshimi i narratives së mediave pro-pushtetit në Serbi karshi Rusisë dëshmon se tashmë aparati i propagandës së qeverisë është aktivizuar dhe tani mund të pritet një rënie graduale e mbështetjes për Vladimir Putinin dhe agresionin e Rusisë në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore