Sport

Hetimet ndaj Juventus-it, prokurorët kërkojnë dëshminë e Ronaldo-s


Cristiano Ronaldo, Photo by Nicolo Campo/ Getty Images

Prokurorët që po hetojnë “manovrën e pagave” që përfshin Juventus-in do të dëshironin të merrnin në pyetje Cristiano Ronaldo-n.

Ai shihet si një person i informuar për faktet, duke qenë se marrëveshja midis tij dhe drejtorit sportiv të atëhershëm të Juventus-it, Fabio Paratici, për shtyrjen e rrogave që do t’i paguhen lojtarit aktual të Al Nassr, është zemra e hetimeve që përfshijnë bardhezinjtë.

Dy tentativat e mëparshme, njëra në Torino dhe tjetra në Milano, nuk kanë çuar në asgjë, por hetuesit duan të provojnë përsëri, siç raportohet nga “Il Corriere-Torino”, duke i garantuar Ronaldo-s privatësi absolute, pasi do të dëshironin ta takonin në aeroport. Një menyrë kjo për të qenë sa më larg syve kureshtar.

Por një mision realisht i pamundur shpallet për prokurorët, duke qenë se Ronaldo përmes avokatëve të tij tashmë ka bërë të ditur se nuk dëshiron të flasë me hetuesit. Në këtë rast ai vepron ligjërisht duke qenë se nuk është nën hetim.

Prokurorët i dërguan gjithashtu një letër porosie Manchester United, kur Ronaldo luante për ta, me 40 pyetje në lidhje me këtë çështje, por portugezi nuk iu përgjigj kurrë.

Pyetjet ishin të tipit “Ju ka paguar Juventus të gjitha pagat? Nëse po, sa është shuma e pagave të papaguara? Si do të paguhen? Mendoni se jeni duke marrë masa ligjore për pagesën e këtyre pagave?”.

Deri më tani, të vetmet përgjigje që kanë marrë Marco Gianoglio dhe prokurorët Mario Bendoni dhe Ciro Santoriello, kanë ardhur nga avokati John Shehata, i cili ndjek CR7 së bashku me kolegun e tij Salvatore Pino.

“Ai nuk ka asnjë dokument në lidhje me marrëdhëniet me skuadra italiane. Më ka thënë tashmë se nuk di asgjë për ngjarjet që po hetohen”, thanë avokatët e CR7.

Por ky është një version që nuk i bind hetuesit, të cilët kanë një skenar krejt tjetër, ku avokatët e dy palëve kanë negociuar dhe kanë arritur një marrëveshje për shtyrjen e pagesës mujore që mbulohen nga e ashtuquajtura “manovra e pagave”.

Në duart e prokurorëve “kartoni i Ronaldo-s” nuk është i firmosur nga portugezi, por nëse do të gjenin të njëjtin shkrim me firmën e CR7, atëherë pozicioni i lojtarit do të ndryshonte dhe ai nga ana e tij do të bëhej një i dyshuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore