Shqipëria

Helidon Bushati propozon ngritjen e një Kuvendi Pajtimi për demokratët


Helidon Bushati, deputet i Partisë Demokratike, ka reaguar mbi situatën e krijuar në parti.

Ai, përmes një postimi në mediat sociale, ka propozuar një zgjidhje që do të bashkonte demokratët dhe opozitarë.

Bushati ka propozuar një Kuvend Pajtimi nga i cili të dilet me një strukturë drejtuese kolegjiale gjithëpërfshirëse, të përkohshme dhe me një strategji të re komunikimi që t’i përgjigjet kohës.

“Besoj fort se ky është i vetmi instrument që do të na mundësojë të ringrihemi”, ka thënë ai.

Për rezultatin e 14 majit, ai ka thënë se ky moment duhet të jetë një mundësi për ndërgjegjësim, reflektim objektiv dhe jo një mundësi për të gjetur alibi apo justifikime për humbjen.

“Ajo çfarë kam propozuar, çfarë besoj dhe kam besuar që nga shtatori i vitit 2021, se ajo çfarë i shërben më shumë se kurrë demokratëve dhe Partisë Demokratike në këto momente është krijimi i një platforme për bashkimin e të gjithë frontit opozitar nëpërmjet një Kuvendi Pajtimi me njerëz dhe strategji komunikimi të re e të vërtetë me të cilën i drejtohemi çdo demokrati, opozitari dhe qytetari të këtij vendi”, ka shpjeguar ai.

“Vlerësoj se është më e drejtë dhe dinjitoze duke filluar nga unë dhe shumica e atyre që kemi humbur sfida në nivel qarqesh apo në nivel kombëtar se është koha të bëjmë një hap pas dhe të jemi mbështetje për figurat e reja që do të përfaqësojnë Partinë Demokratike dhe do të marrin përsipër përgjegjësinë për ta ringritur atë bashkë me ne”, ka shtuar ai.

Sipas Bushatit, ky është një detyrim. Dhe se vetëm kjo është rruga e ringritjes.

“Jemi ne ata që duhet t’ju japim mundësinë dhe të mbështesim fort formësimin e një klase të re politike në drejtim të Partisë Demokratike”, ka theksuar ai.

Po ashtu ka thënë se është koha të lihen pas akuzat drejtuar njëri tjetrit, për të gjetur fajtorin.

“Partia Demokratike për t’u ringritur duhet të mbështetet te e vetmja zgjidhje e shëndoshë që kapërcen çdo interes personal, zgjidhja e vetme duhet të gjendet tek krijimi i një fronti të gjerë opozitar”, ka vijuar Bushati.

Në kalvarin e përçarjes për të zgjedhur kryetarin e ri

“Refuzoj dhe dënoj me forcë çdo përpjekje për tensionin që ushqen kulturën e vjetër politike”.

Kështu e nis reagimin e tij ish-kryetari Lulzim Basha, për sa i përket mbledhjes së Kryesisë së PD-së, e cila u shoqërua me debate dhe tensione. Madje militantët e tij, ushtruan dhunë verbale ndaj disa deputëtëve që braktisën mbledhjen.

Kohët e fundit Basha është parë “i rikthyer” në politikë, por në një formë ndryshe, duke u angazhuar me takime me të rinjtë.

Vetë nuk mori pjesë në mbledhje, ama debatin e zhvilluar e cilëson si konstruktiv dhe në funksion të riorganizimit të PD-së.

E gjithë dinamika e “përplasjeve” u zhvillua për temën qendrore: Gara për kryetarin e ri të Partisë.

Pas disa orësh debat, me 17 vota pro, 2 kundër dhe 3 abstenime zgjedhjet do të mbahen më 29 korrik.

Ky vendim, solli tension në mbledhje pasi deputetët nuk pranuan që zgjedhjet të mbahen tani.

Nga situata e krijuar, ishte deputetja Jorida Tabaku që vendosi të tërhiqet nga pozicioni i nënkryetares pasi sipas saj dëshira ka qenë që të “mos nxitohemi dhe t’i japim demokratëve një proces të drejtë, real dhe që na nderon”.

Dorëheqja e saj u pasua gjatë ditës sotme edhe nga dy kolegët: Oriela Nebijaj dhe Flamur Hoxha.

Mbrëmjen e 6 qershorit, braktisja e mbledhjes nga deputetët erdhi pasi kërkuan që fillimisht të mbaheshin zgjedhjet në bazë dhe më pas të caktohet kryetari i ri.

Gazment Bardhi, Saimir Korreshi, Helidon Bushati, Dashnor Sula, Lefter Gështenja, Bledion Nallbati, Dhurata Çupi ishin deputetë që braktisën të parët mbledhjen e Kryesisë, rreth orës 01:00 të mesnatës.

Gjatë largimit nga mbledhja, deputetët janë sharë dhe ofenduar nga militantët e ish-kryetarit Lulzim Basha që ishin mbledhur para selisë blu. Nga ana tjetër, anëtarët e tjerë të Kryesisë u kërkuan deputetëve llogari se përse nuk kanë qenë aktivë në fushatën për zgjedhjet e 14 majit, sidomos në atë të Tiranës.

I pari që reagoi ndaj dhunës verbale të ushtruar, ishte kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.

“Dhuna verbale, presioni dhe shantazhi kundër deputetëve të PD që mendojnë ndryshe nuk janë mjete politike. Kjo sjellje prej grupimi paramilitar hedh në erë bashkëjetesën brenda kësaj force politike dhe dërrmon në mënyrë përfundimtare besimin e qytetarëve tek PD”, tha ai.

Bardhi kërkoi nga kolegët e tij që të distancohen publikisht.

“Përmes dhunës, presionit dhe shantazhit nuk ndërtohet asgjë afatgjatë, në interes të demokratëve dhe të Shqipërisë”.

Nga ana tjetër, deputeti Ervin Salianji, nga radhët e Rithemelimit tha se ish-kryetari Lulzim Basha nuk është larguar asnjë ditë dhe “po sillet si gangster me demokratët që e kanë mbështetur”.

“Langaraq me Ramën, gangster me demokratët që e mbështesin! Siç e kam paralajmëruar prej më shumë se një viti LB nuk është larguar asnjë ditë, ka përdorur truke për tu zvarritur pavarësisht se nuk ka as mbështetje, as elektorat dhe as parti!  E vetmja risi nga e djeshmja ishin pamjet e dhunshme! Pamjet me dhunë verbale, presion, shantazh dhe fyerje ndaj deputetëve të PD që mendojnë ndryshe”.

Ndërsa, Kolegji i Kryetarëve u shpreh se dënon çdo akt dhune.

“Partia Demokratike e Shqipërisë është ngritur dhe ekziston mbi sakrificën e qindra mijëra demokratëve të cilët sot më shumë se kurrë kërkojnë vetëm të dëgjohet zëri dhe vullneti i tyre, në shërbim të zgjidhjeve më të drejta për fuqizimin dhe ringritjen e Partisë Demokratike”.

Sipas Kolegjit, çdo përpjekje “për ta zhbërë këtë vullnet, çdo tentativë për ta përbaltur mundin, sakrificën dhe shqetësimin e atyre demokratëve të ndershëm që kanë punuar pa u lodhur për çdo votë dhe çdo mandat të deputetëve të Partisë Demokratike, i shërben vetëm kundërshtarëve tanë politikë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore