Lajme

Haradinaj: Përulje para veprës së heronjve që luftuan për të drejtën tonë


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në urimin e tij për 28 nëntor, ka shprehur mirënjohje për prijësit themeltarë të shtetit shqiptar “që lartësuan vlerat dhe idealet kombëtare”.

“Të dashur bashkëkombës. Urime 28 Nëntori – Dita e Flamurit dhe Pavarësisë sonë Kombëtare. 28 Nëntori i Skënderbeut, UÇK-së dhe Adem Jasharit. 28 Nëntori i shqiptarëve. Përulje para veprës së heronjve e martirëve, të të gjithë brezave, që luftuan për të drejtën tonë”, ka shkruar ai në Facebook.

Teksa uroi ditën e flamurit, Haradinaj ka përmendur tri qëllime me të cilat sipas tij duhet të shënohen festat e nëntorit.

“Linja hekurudhore Kosovë – Shqipëri, mbrojtja e përbashkët ushtarake e Kosovës dhe Shqipërisë. Në funksion të forcimit të UÇK-së të nis iniciativë ligjore për Fondin e Ushtrisë, ku të gjithë shqiptarët do të kenë mundësinë të ndihmojnë me financa dhe shtetësia shqiptare për të gjithë shqiptarët kudo që janë”.

Po ashtu, Haradinaj falënderoi shtetet aleate për ndihmën në kohën kur Kosova kishte nevojë për ta.

“Falënderim popujve miq, që në kohën kur kanoseshim nga shfarosja, ishin përkrah nesh, Aleanca Veriatlantike NATO e prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shtoi ai.

28 nëntori – Dita e shqiptarisë

Ndërsa, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me rastin e 28 nëntorit, ka thënë se kjo është një datë themelore e identitetit kombëtar shqiptar, që lidhet me ngjarjet më të rëndësishme historike të popullit shqiptar.

Kështu është shprehur ai pas homazheve në kompleksin memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, ku ishte i shoqëruar edhe nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani

“28 nëntori është një datë themelore e identiteti kombëtar shqiptar e që lidhet me ngjarjet më të rëndësishme historike tonat, prej Skënderbeut në Krujë, Ismail Qemaili në Vlorë, Adem Jashari në Prekaz”.

“Padyshim që kjo është një ditë që na mbushë me gëzim, krenari dhe përgjegjësi për shkak se detyrat para nesh për të ngritur mirëqenien e shqiptarëve, për të zhvilluar vendin tonë, për të shtuar demokracinë në Republikën tonë janë më të rëndësishme se kurrë më parë”.

Ndërkaq, Presidentja Osmani, tha se Osmani janë këtu për të nderuar sakrificën e brezave të shumtë që frymoi me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912.

“Jemi këtu sot për 28 nëntor, për të nderuar sakrificën e brezave të shumtë, e cila kulmoi me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, por vazhdoi edhe me shumë sakrifica të tjera të shqiptarëve gjithandej për liri, prandaj sot e filluam ditën te komandanti Adem Jashari, dhe familja Jashari, për të nderuar sakrificën e tyre”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore