Kosova

Haradinaj në “Ditën e Forcës” thekson rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë nëpërmjet një postimi në “Facebook” se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) vazhdon të jetë institucioni më i besueshëm në Kosovë, ndërsa ka theksuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO.

“Dyert e hapura sot në FSK, mundësojnë për të kuptuar jetën ushtarake, sukseset e vajzave dhe të djemve ndër më të mirët e atdheut, të cilët me përkushtim e vendosmëri janë në ballë të mbrojtjes të lirisë së fituar me sakrificë e të paqes po ashtu”, ka shkruar kreu i AAK-së të hënën.

Këtë të hënë, në prag të festës së 28 nëntorit, mbahet manifestimi qendror “Dita e Forcës” në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ku do të marrin pjesë udhëheqësit më të lartë shtetërorë, por edhe përfaqësuesit ushtarakë e diplomatikë të vendeve aleate të Kosovës.

Në këtë ditë festive, të gjithë qytetarët janë të mirëpritur në të gjitha kazermat e FSK-së, në Prishtinë, Mitrovicë, Istog, Gjilan, Prizren, Ferizaj dhe Pomozatin, ku do të ekspozohen pajisje, armatime, demonstrime, por edhe aktivitete të ndryshme që dëshmojnë për kapacitetet e FSK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore