Lajme

Haradinaj letër Kurtit: Politizimi dhe njollosja e projektit të gazit është skandaloz


Kryeministri Albin Kurti dhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i ka dërguar letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me projektin e gazit.

Ai ka thënë se politizimi dhe njollosja e projektit të gazit është skandaloz, dhe se po rrezikohet projekti më i rëndësishëm ekonomik dhe gjeopolitik për Kosovën.

“Konsideroj se zhvillimet që kanë pasuar me Qeverinë Kurti, politizimi dhe njollosja e projektit të Gazit, janë skandaloze, shumë të dëmshme dhe rrezikojnë zbatimin e një prej projekteve më të rëndësishme ekonomike dhe gjeopolitike për vendin si dhe partneritetin me SHBA-në”, ka shkruar Haradinaj në letër.

Ndërsa, sipas tij zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka përshkruar këtë si projekt rus dhe ka kërkuar nga Kurti që të distancohet.

“Zëvendëskryeministri Bislimi e etiketoi dhe e përshkroi Projektin e Gazit si një projekt rus, mohoi vendimet e qeverive të mëparshme dhe dezinformoi publikun me shumë të pavërteta të dëmshme. Nga ju kryeministër pres distancimin publik dhe thirrje në përgjegjësi të Zëvendëskryeministrit Bislimi, në të kundërtën e vlerësoj që qëndrimet e zëvendëskryeministrit dhe të kryeministrit janë në pajtueshmëri të plotë”.

Po ashtu, kërkesë tjetër e Haradinaj është që ky projekt të mos vonohet nga Qeveria e Kosovës.

“Revidimi i Strategjisë së Energjisë të mos vonohet dhe të integroj në vetvete zhvillimin e infrastrukturës së gazit dhe kapaciteteve gjeneruese. Përveç mbështetjes së Kompaktit për këtë projekt, Qeveria e Kosovës duhet të përkushtohet në avancimin e negociatave me BERZH-in dhe BE-në për të siguruar financimin e projektit të gazit”.

Letra e kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dërguar kryeministrit Albin Kurtit.

Ai sqaron në këtë letër se kjo marrëveshje ishte miratuar në maj të vitit 2019.

“Në maj të vitit 2019, Qeveria e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga unë si Kryeministër i vendit, miratoi propozimin për të përfituar nga granti i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe për të mbështetur zhvillimin e Programit Kompakt. Si rezultat, ne krijuam dhe mbështetëm një ekip ekspertësh vendor dhe me ç’rast nënshkrova marrëveshjen e Fondit të Zhvillimit Kompakt (CDF)”.

Ai shtoi se, “Si rezultat, programi Kompakt u zhvillua në koordinim të plotë me prioritetet e Qeverisë së Kosovës, agjencisë MCC dhe politikat e Qeverisë Amerikane, dhe pas shumë konsultimeve me të gjithë akterët në sektorin e energjisë, u identifikuan projekte brenda programit për mbështetje për të cilat janë kryer studime të para-fizibilitetit, siç janë: Zhvillimi i Sektorit të Gazit -Diversifikimi i Sektorit të Energjisë; Balancimi i Sistemit të Gjenerimit përmes krijimit të rezervave të energjisë për rrjetin e Transmisionit; Fuqizimi i Sektorit të Energjisë.

Letra e kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dërguar kryeministrit Albin Kurtit.

Më 18 shtator, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se sa i përket aspektit gjeopolitik, Kosova nuk ka rrugëdalje tjetër, përpos që të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për çështjen e projektit për gazsjellësin.

Kurse, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se s’mund të vendosin për gazsjellësin pa e ditur koston totale.

Në maj të këtij viti, Korporata e Sfidave të Mileniumit (MCC), ka shfaqur interesim për të dialoguar me qeverinë e Kosovës për projektin e gazpërçuesit Greqi – Maqedoni e Veriut – Kosovë, por, kjo e fundit nuk ka ndërmarrë ndonjë hap për ta shtyrë atë përpara.

Ndryshe, ndërlidhja e Kosovës me tubacionin e gazit që kalon në Greqi – Maqedoni të Veriut është një nga projektet e përfolura energjetike të Kosovës, si dhe një ndër opcionet për të ardhmen energjetike të vendit.

Kosova prodhon energji duke përdorur djegien e thëngjillit, që llogaritet si një prej kontribuuesve kryesorë në ndotjen e ajrit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore