Lajme

Haradinaj: Kujt ia kishte borxh qytetari i Kosovës terrin pas 20 vjetësh?


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për krizën energjetike, ai ka kërkuar sqarim për krizën energjetike në Kosovë.

“Kujt ia kishte borxh qytetari i Kosovës terrin pas 20 vjetësh? A e kanë meritu ata që e votuan VV-në dhe Kurtin? A ia kishin borxh Kurtit terrin dhe të ftohtit? Për këtë dimër po e shohim, reduktime, terr, të ftohtë. Si do të jetë dimri i ardhshëm me këta njerëz e me këtë mendësi të tyre”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Haradinaj ka pyetur edhe për investimet që i janë ofruar Kosovës, por që Kurti i ka refuzuar.

“Ku i kishin mendtë Kurti e VV? Ku i kishte mendtë Kurti e VV-ja kur e kundërshtonte me forcë investimin 1.2 miliardë dollarë për 500 megavatë energji, të çmimit deri në 86 euro për megavat, investim që do të hapte vende të punës dhe do ta kthente Kosovën në fuqi rajonale të energjisë?”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ai përsëri ka kërkuar sqarim për refuzimin e investimit amerikan nga Qeveria e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Ku i kishte mendtë Kurti e VV-ja kur e refuzuan investimin amerikan, 200 milionë dollarë falas, të aprovuara nga Presidenti Biden për gazsjellësin Shkup – Prishtinë”.

Ndërsa tutje thotë se “ku i kishin mendtë Kurti e VV-ja gjatë verës që nuk u morën me KEK, KOSTT, KEDS e KESCO, për të rritur kapacitetin e prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë, por e pritën dimrin e ftohtë”, thotë ai.

Por, mbi të gjitha kreu i AAK-së kërkon të dijë se pse nuk po ndërmerret diçka për situatën aktuale.

“Ku i ka sot mendtë Kurti e VV-ja, kur paguan deri në 620 euro për megavat nga tregjet e shteteve fqinje”.

Të enjten e 22 dhjetorit në Kosovë do të kthehen reduktimet e energjisë elektrike.

Kufizimet do të jenë rreth dy orë dhe do të prekin të gjithë konsumatorët në kohë të ndryshme, përveç atyre emergjentë.

Këtë e ka bërë të ditur operatori i shpërndarjes së rrymës në vend, KEDS,pasi sipas tyre ky vendim ka ardhur për shkak të mbingarkesës së sistemit elektroenergjetik në vend ditëve të fundit.

Çmimet evropiane të gazit natyror janë rritur aq shumë, saqë qindra miliona njerëz mund të përballen me shtëpi të ftohta ose fatura të fryra të energjisë gjatë dimrit.

“Kjo krizë energjetike në Evropë do të afektojë edhe Kosovën”.

Këtë e ka bërë të ditur Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, pasi sipas saj qytetarët duhet të përgatiten për një rritje eventuale të çmimeve të energjisë.

Kjo pasi që çmimi i energjisë elektrike për një Megavat për orë, prej 60 euro, sa kanë qenë para kësaj krize në Evropë, tani ka arritur në mbi 100 euro.

Në anën tjetër Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRrE) ka bërë të ditur se tarifat aktuale të energjisë do të mbesin të njëjta deri me një prill të vitit të ardhshëm, atëherë kur bëhet edhe rishikimi i rregullt i çmimeve të energjisë elektrike në vartësi të të hyrave maksimale të lejuara për operatorët, KESCO, KEDS dhe KOSTT.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore