Lajme

Kosova në krizë energjetike permanente


Termocentrali i Obiliqit në Kosovë

“Kosova, edhe pa krizën e paralajmëruar energjetike është vend në krizë permanente energjetike”.

Kjo për shkak se kërkesat për energji janë rritur ndërsa që kapacitet prodhuese në Kosovë kanë mbetur të njëjta për dekada.

Kështu është deklaruar për Albanian Post, profesori universitar Zeqir Veselaj i cili është njohës i fushës së mjedisit.

Sipas tij, Kosova ka 15 vjet që e ka humbur hapin për të ndërtuar një termocentral të përmasave ekonomike të përballueshme dhe standardeve të pranueshme mjedisore.

“Kosova ende nuk e ka gati tranzicionin energjetik drejt burimeve të ripërtritshme dhe për më keq është larg dhe pa një strategji të qartë. Termocentralet nga qymyri janë duke u mbyllur me shpejtësi në Evropë e për të reja vështirë të flitet për shkak të problemit me shkarkimet e dioksid karbonit (CO2) dhe ngrohjes globale”, ka thënë Veselaj për Albanian Post.

Veselaj, ka potencuar se me krizën energjetike globale çmimi i blerjes së energjisë rritet, prandaj sipas tij për ta mënjanuar këtë thellim të krizës, bashkëpunimi me Shqipërinë është e domosdoshme.

“Dritë në fund të tunelit për zbutjen e krizës e shoh në shkëmbimin energjetik me Shqipërinë gjatë periudhës së mungesës së saj në stinët respektive gjatë pikut të kërkesave”, ka shtuar ai.

Zeqir Veselaj, profesor në Universitetin e Prishtinës

Edhe për Dardan Abazin, hulumtues i lartë në organizatën jo-qeveritare INDEP, kriza e paralajmëruar energjetike është shqetësuese për arsyen se Kosova nuk është e përgatitur për një gjë të tillë.

Sipas tij, Kosova nuk ka themeluar ende Fondin e Konsumatorëve të Cenuar siç parashihet në Ligjin për Energjinë Elektrike, që do të mbronte konsumatorët në rast të krizave të tilla.

Ai për Albanian Post ka treguar se cilat do të duhet të ishin masat që duhen të ndërmerren për të përballuar krizën energjetike.

“Nevojitet masa për të kontrolluar kërkesën për energji në muajt e dimrit sidomos përmes investimeve në efiçiencë dhe ndryshimit të sistemeve të ngrohjes, pastaj decentralizim dhe diversifikim i burimeve të prodhimit”, ka thënë Abazi për AP.

Sipas Abazit, Kosova aktualisht ka rezervë nafte jo më shumë se katër ditë, kjo pasi që Qeveritë kosovare ndër vite kanë dështuar të miratojnë Ligjin për Rezervat e Obligueshme të Naftës.

“Grumbullimi i një rezerve që idealisht do të ishte e barasvlefshme me sasinë e 90 ditëve të importit, do të lehtësonte shumë periudhat e shtrenjtimit të çmimeve në tregjet ndërkombëtare”, ka shtuar ai.

Dardan Abazi, hulumtues i lartë në organizatën jo-qeveritare INDEP

Përveç krizës aktuale energjetike e cila ka trokitur te dera e Kosovës, profesori Veselaj, ka komentuar edhe qëndrimin e Qeverisë së Kosovës sa i përket projektit të ndërtimit të infrastrukturës për gazsjellësin amerikanë në Kosovë, duke shtuar se në aspektin ekologjik vendimi i marrë është një hap mbrapa.

Sipas tij gazi natyror i cili ishte paraparë të vinte në Kosovë përmes projektit amerikanë është një lëndë energjetike me bazë karboni, por shumë më pak e dëmshme për natyrën.

“Edhe gazi natyror është lëndë energjetike me bazë karbonin, megjithatë shkarkimet e dioksid karbonit (CO2) nga djegia e gazit janë shumë më të ultë se nga djegia e qymyrit. Energjia nga gazi do të ishte resursi më adekuat në aspektin ekonomik dhe ekologjik për ta përballuar tranzicionin nga energjia me fosile në atë nga burimet e ripërtritshme”, ka thënë ai.

Një krizë globale energjetike ka nisur të japë shenja në mbar globin.

Çmimet evropiane të gazit natyror janë rritur aq shumë, saqë qindra miliona njerëz mund të përballen me shtëpi të ftohta ose fatura të fryra të energjisë gjatë dimrit.

“Kjo krizë energjetike në Evropë do të afektojë edhe Kosovën”.

Këtë e ka bërë të ditur Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, pasi sipas saj qytetarët duhet të përgatiten për një rritje eventuale të çmimeve të energjisë.

Kjo pasi që çmimi i energjisë elektrike për një Megavat për orë, prej 60 euro, sa kanë qenë para kësaj krize në Evropë, tani ka arritur në mbi 100 euro.

Në anën tjetër Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRrE) ka bërë të ditur se tarifat aktuale të energjisë do të mbesin të njëjta deri me një prill të vitit të ardhshëm, atëherë kur bëhet edhe rishikimi i rregullt i çmimeve të energjisë elektrike në vartësi të të hyrave maksimale të lejuara për operatorët, KESCO, KEDS dhe KOSTT.

Përkundër faktit që çmimi i importit të energjisë elektrike është rritur dukshëm gjatë këtij viti krahasuar me vitet e kaluara, ZRrE ka vendosur të mos lejojë tani shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Ndërkaq, më 8 tetor, kriza energjetike në Evropë dhe ngritja e çmimit të energjisë elektrike në tregjet globale, ka bërë që fabrika e prodhimit të nikelit në Kosovë “Ferronikeli” të ndërprejë përkohësisht punën.

Fabrika Ferronikeli, në një e-mail dërguar AP, ka bërë të ditur se ndërprerja e prodhimit ka ardhur si shkak i rritjes së vazhdueshme të çmimit të energjisë elektrike.

“Për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimit të energjisë elektrike në tregjet evropiane, kompania ‘NewCo Ferronikeli L.L.C’ detyrohet të ndërpresë përkohësisht prodhimin. Katërfishimi i çmimit të energjisë ka çuar në marrjen e këtij vendimi që do të zgjasë deri në një moment të dytë kur çmimet të normalizohen”.

Ilustrim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore