Shqipëria

Hapja e negociatave me Shqipërinë në agjendën e BE-së


E enjtja e 7 korrikut mund të jetë dita vendimtare për hapjen e negociatave mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë.

27 ambasadorët e BE-së do të mblidhen në Bruksel për të diskutuar mes disa temash edhe për fatin evropian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Presidenca çeke nga ana e saj ka shprehur përkushtimin për avancimin e marrëveshjes mes Bullgarisë dhe RMV-së në lidhje me propozimin francez.

Nëse finalizimi i vendimit bëhet brenda pesë ditëve, atëherë presidenca çeke do të vendosë pa humbur kohë për çështjen e kornizave të negociatave me dy vendet në agjendën e takimit të ambasadorëve të përhershëm të Bashkimit Evropian.

Nëse do vendoset për hapjen e negociatave zyrtare për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, atëherë do të vazhdojë diskutimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe do të shqyrtohet kërkesa e Bosnjës dhe Hercegovinës për statusin e vendit kandidat.

Brussels: An EU capital in the making

Fazat

Negociatat për anëtarësim shënojnë momentin kyç në proceset integruese të një vendi për në BE.

Procesi i negociatave të anëtarësimit të vendit kandidat konsiston në tre faza.

Fillimisht, në marrjen e statusit të vendit kandidat– çka nuk nënkupton automatikisht hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Së dyti, në hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësim – proces ky që përfshin përthithjen e acquis në sistemin kombëtar juridik apo përgatitjet për zbatimin e tij.

Më pas, në përfundimin e negociatave dhe reformave – vendi kandidat pas këtij momenti mund të anëtarësohet në BE.

Negociatat zhvillohen mes ministrave dhe ambasadorëve të qeverive të vendeve anëtare dhe vendit kandidat.

Kjo, përmes Konferencës së parë Ndërqeveritare.

Konferenca e parë Ndërqeveritare është më e rëndësishmja politikisht duke qenë se përcakton kuadrin e përgjithshëm për negociatat, si dhe hapjen zyrtare të tyre.

Këtu shkëmbehen qëndrimet e përgjithshme negociuese mes BE-së dhe vendit kandidat dhe prezantohen grupet negociatore.

EU Intergovernmental Conferences with Serbia and Montenegro at the end of June - European Western Balkans

Situata në RMV

Tensionet kanë përfshirë prej ditësh vendin fqinj pas kundërshtive ndaj propozimit francez.

Disa të shtëna me armë zjarri dhe gjuajtje të mjeteve të forta shoqëruan nisjen e protestës të së mërkures në Shkup.

Protestuesit kërkojnë nga ana e tyre që autoritet maqedonase të refuzojnë propozimin e Bashkimit Evropian, për fillimin e negociatave për anëtarësim.

Sipas tyre, francez bën “bullgarizimin” e Maqedonisë së Veriut dhe nuk e njeh gjuhën e as historinë maqedonase.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, u takua më herët me shefin e Këshillit Evropian, Charles Michel.

Ai shtoi se “propozimi francez” është baza e çështjes jashtëzakonisht të rëndësishme të progresit dhe sigurimit të asaj që është pritur prej 17 vitesh.

Maqedonia e Veriut ndodhet para vendimit për pranimin ose jo të propozimit të modifikuar francez.

Kjo e fundit, do të ndihmonte në heqjen e vetos bullgare dhe zhbllokimin e rrugës eurointegruese të vendit.

Macedonians protest French proposals over rift with Bulgaria | The Star

Opozita

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, deklaroi se me pranimin e propozimit francez Shqipëria fillon negociatat (me BE-në – AP) dhe jo Maqedonia e Veriut.

“Ne nuk do të fillojmë tani negociatat, këtë duhet ta dinë patjetër qytetarët. Shqipëria do të fillojë, jo ne. Shqipëria po, por jo ne. Ne duhet ta ndryshojmë Kushtetutën. Në këtë e nënshkruajmë që Shqipëria të nisë negociatat dhe jo Maqedonia e Veriut”, theksoi fillimisht kryeopozitari.

Ai bëri thirrje sakaq për protesta masive para qeverisë kundër propozimit francez.

“Nuk kam asgjë kundër shqiptarëve, le të fillojnë. Nëse Komisioni Evropian ka vlerësuar se vendi i Edi Ramës është aty, ndërsa vendi i Maqedonisë nuk është aty, ky është vendim i Komisionit, nuk përzihem”, shtoi Mickoski.

VMRO DPMNE: Do vazhdojmë bojkotin/ Mickoski: Nëse shkojmë në zgjedhje opozita merr 61 mandate - Vizion Plus

Reagimet

Gabim i madh nëse Maqedonia e Veriut nuk do të pranojë propozimin e presidentit francez, Emmanuel Macron.

Kështu deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një interviste për “Kanal 5”.

Nga atje, Rama apeloi që drejtuesit e Maqedonisë së Veriut ta pranojnë propozimin, të cilin e cilësoi si “mundësia e hapjes së rrugës së integrimit”.

“E kam ndjekur në vijimësi të gjithë punën e madhe që është bërë veçanërisht në Madrid për t’u dhënë zgjidhje shqetësimeve të Maqedonisë së Veriut dhe mund t’ju them që Presidenti Macron ka ushtruar të gjithë influencën e tij duke punuar 48 orë pa pushim, natë e ditë”, u shpreh Rama.

Kryeministri shpjegoi se nuk po ia kërkon këtë Maqedonisë së Veriut për “të shpëtuar Shqipërinë”, porse kjo është e duhura.

Pm Rama: We still have doubts that Bulgaria will lift the veto on North Macedonia | RTSH RTI

Përplasjet

Autoritetet maqedonase kanë parashtruar nga ana e tyre tre kushte në lidhje me propozimin e presidencës franceze për fillimin e negociatave me BE-në.

E para, çështja e gjuhës maqedonase nuk duhet të problematizohet në kornizën e negociatave.

Së dyti, nuk duhet të përfshihen çështjet historike.

E fundit, i takon përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.

Kështu bënë të ditur zëvendës kryeministri maqedonas Bojana Mariçiç dhe kryediplomati Bujar Osmani.

Bujar Osmani: Kushtet s'janë pengesë, presim vendim pozitiv për Maqedoninë e Veriut e Shqipërinë - Vizion Plus

Bullgaria

Kuvendi Kombëtar i Bullgarisë miratoi të premten e 24 qershorit me 170 vota “pro”, 37 “kundër” dhe 21 “abstenim” propozimin francez.

Vendimi i jep dritën jeshile kryeministrit në dorëheqje Kiril Petkov për të miratuar kornizën negociuese dhe konkluzionet e propozuara nga Presidenca franceze me Këshillin e BE.

Kjo, që të zgjidhë marrëdhëniet komplekse mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, nëse plotësohen disa kushte.

Kuvendi Kombëtar konfirmoi kushtet në të cilat Bullgaria mund të mbështesë çdo hap në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Përkatësisht: Zbatimi efektiv i Traktatit të Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të vitit 2017 dhe procesverbalet e mbledhjeve të Komisionit Ndërqeveritar sipas këtij Traktati; garantimi i të drejtave të bullgarëve në RMV, me përfshirjen e tyre në kushte të barabarta me popujt e tjerë në kushtetutën e RMV-së.

Panchev: Veto bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut nuk dëmton interesat e shqiptarëve - KosovaPress

Për këtë qëllim, Qeveria e Republikës së Bullgarisë duhet të miratojë draft kuadrin negociues dhe konkluzionet e Këshillit të BE-së të propozuara nga Presidenca Franceze.

Kjo, me disa kushte: Sqarimi i tekstit të projekt-konkluzioneve të Këshillit në mënyrë që të sigurohet përfshirja e bullgarëve në kushtetutën e RMV-së në dispozitat në të cilat përmenden popujt e tjerë dhe në baza të barabarta me këta popuj.

Kushti i dytë ka të bëjë me përmirësimin e draft kornizës negociuese të propozuar dhe draft konkluzioneve të Këshillit.

Kjo, për të pasqyruar më qartë faktin se asgjë në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE nuk mund të interpretohet si njohje nga Republika e Bullgarisë të ekzistencës të gjuhës maqedonase.

Së treti, përfshihet garancia se fqinjësia e mirë mbetet një kriter horizontal gjatë gjithë procesit të anëtarësimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore