
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u ka bërë thirrje autoriteteve maqedonase dhe popullit të Maqedonisë së Veriut që ta pranojnë propozimin francez.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë kreu i qeverisë shqiptare, përmes një postimi në median sociale Twitter.
“Propozimi i fundit francez, i cili është edhe përfundimtari, i jep Maqedonisë së Veriut mundësinë e një pranimi pa rezervë dhe hap rrugën e nisjes zyrtare të negociatave për anëtarësimin e të dy vendeve në Bashkimin Europian! Vëllezërve maqedonas dhe shqiptarë në MV u them: Pranojeni!”, shkruan Rama në statusin e tij.
Propozimi i fundit francez, i cili është edhe përfundimtari,i jep Maqedonisë së Veriut mundësinë e një pranimi pa rezervë dhe hap rrugën e nisjes zyrtare të negociatave për anëtarësimin e të dy vendeve në Bashkimin Europian! Vëllezërve maqedonas&shqiptarë në MV u them: Pranojeni! pic.twitter.com/0bDtV99xTW
— Edi Rama (@ediramaal) June 30, 2022
Nga ana tjetër, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur, përmes një njoftimi zyrtar, se e ka pranuar propozimin e Presidencës franceze.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme ka pranuar propozimin nga Presidenca franceze me ide që u referohen qëndrimeve tona të shprehura publikisht”, cilësohet fillimisht në deklaratë.
Sipas autoriteteve vendase, kjo paraqet bazën për hapjen e një procesi të gjerë konsultativ, fillimisht në qeveri dhe partnerët e koalicionit, e më pas me presidentin, parlamentin dhe opozitën, si dhe me sektorin civil dhe publikun e gjerë.
“Siç edhe premtuam, vendimin për të ardhmen do ta marrim bashkërisht, sipas meritave, në përputhje me interesat strategjike të vendit dhe të të gjithë qytetarëve të saj”, thekson reagimi i qeverisë maqedonase.
Në përmbyllje, autoritetet falënderuan presidentin francez Emmanuel Macron për përpjekjet në lidhje me kapërcimet e pengesave dhe ruajtjen e kredibilitetit evropian në Ballkan.
/Albanianpost.com