Lajme

Hajdari – bizneseve: Një deri në pesë vjet burg për keqpërdorim të pozitës së monopolit


Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari,

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, përmes një statusi në Facebook ka thënë se me shqetësim ka pranuar njoftimet dhe ankesat për ngritje të menjëhershme të çmimeve të produkteve ushqimore esenciale, duke treguar se në nenin 295 të Kodit Penal flitet për keqpërdorim të pozitës së monopolit dhe në pikën 1 parashihet burgim deri në 3 vjet, kurse në pikën 2 deri në 5 vjet.

“Ministria që unë drejtoj në koordinim me organet kompetente, po marrin masat e duhura sipas legjislacionit të Republikës së Kosovës, ku ndër ligjet përkatëse është edhe kodi penal’, ka shkruar Hajdari.

“Ju siguroj se Qeveria Kurti, duke u bazuar në parimet e përgjegjësisë, llogaridhënies, transparencës, barazisë dhe gjithëpërfshirjes, prioritet ka mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

Hajdari i ka ftuar të gjitha bizneset të veprojnë në mënyrë të ligjshme dhe të ndërgjegjshme, duke u bazuar në konkurrencë të shëndoshë dhe në dobi të qytetarëve, bizneseve dhe shtetit.

“Me përgjegjësi të plotë ju them se gjendja është nën kontroll dhe se nuk ka vend për panik”.

Në anën tjetër, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës si dhe organet tjera kompetente, përkatësisht Inspektoratin e Tregut do t’i ndërmarrë veprimet ligjore penale ndaj të gjithë personave përgjegjës të organizatave të biznesit që ushtrojnë veprimtari ekonomike duke e keqpërdorur pozitën monopoliste apo dominuese në treg.

Ndërsa një market në Skenderaj tashmë është gjobitur me 1000 mijë euro, pasi sipas kryetarit të kësaj komune Fadil Nurës, do të ketë “gjobë për secilin që provon të përfitojë në mënyrë të pandershme”.

“Nuk mund të ndryshojmë rrjedhën e tregjeve botërore, por mund të shtojmë mbikëqyrjen në qendrat tregtare dhe dyqanet ushqimore, nëse ato apo kushdo tjetër që bën tregti, luan me çmime, në këtë kohë pa kohë kur disa artikuj ushqimor dhe jo ushqimor kanë lëvizje të çmimeve”, ka shkruar Nura në Facebook.

Për 50 për qind për vetëm një ditë është shtrenjtuar litra e vajit të lulediellit në Kosovë.

Përderisa një litër të mërkurën kushtonte rreth 2.3 euro, të enjten në disa markete çmimin ka fluturuar në 3.5 euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore