Lajme

Zyra e Prokurorit të Shtetit fillon hetimet për bizneset që i ngritën çmimet


Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës si dhe organet tjera kompetente, përkatësisht Inspektoratin e Tregut do t’i ndërmarrë veprimet ligjore penale ndaj të gjithë personave përgjegjës të organizatave të biznesit që ushtrojnë veprimtari ekonomike duke e keqpërdorur pozitën monopoliste apo dominuese në treg.

Sipas njoftimit, kjo do të vlejë për bizneset që ndikojnë në vënien e çmimeve të padrejta të shitjes së artikujve ushqimor apo që në ndonjë mënyrë tjetër të padrejtë rregullojnë çmimet e blerjes apo të shitjes së mallrave, “siç parashihet me nenin 295 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku është paraparë dënimi me burg dhe me gjobë”.

Ky mobilizim i organit të akuzës vjen pasi thirrjes së ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, drejtuar Prokurorin e Shtetit që të hetojë ngritjen e çmimeve në Kosovë, pasi sipas saj, “ditëve të fundit dhe sidomos sot kemi vërejtur një ngritje enorme, aspak normale dhe tërësisht të paarsyeshme të çmimeve të produkteve ushqimore bazike të konsumatorëve nga subjektet tregtare”.

“Ftoj Prokurorin e Shtetit, që bazuar në kompetencat kushtetuese dhe ligjore të përcaktuara, të ndërmarrë menjëherë veprime në përputhje me mandatin e tij, kundër abuzuesve që po përfitojnë paligjshëm që me veprimet e tyre po dëmtojnë qytetarët e vendit tone”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ajo konsideron që kjo tendencë për keqpërdorim të situatës e dëmton jashtëzakonisht xhepin e qytetarëve dhe duhet të marrë fund sa më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore