Lajme

Ngritja e çmimeve në Kosovë, Haxhiu: Ftoj Prokurorin e Shtetit që t’i hetojë abuzuesit


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka ftuar Prokurorin e Shtetit që të hetojë ngritjen e çmimeve në Kosovë, pasi sipas saj, “ditëve të fundit dhe sidomos sot kemi vërejtur një ngritje enorme, aspak normale dhe tërësisht të paarsyeshme të çmimeve të produkteve ushqimore bazike të konsumatorëve nga subjektet tregtare”.

“Ftoj Prokurorin e Shtetit, që bazuar në kompetencat kushtetuese dhe ligjore të përcaktuara, të ndërmarrë menjëherë veprime në përputhje me mandatin e tij, kundër abuzuesve që po përfitojnë paligjshëm që me veprimet e tyre po dëmtojnë qytetarët e vendit tone”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ajo konsideron që kjo tendencë për keqpërdorim të situatës e dëmton jashtëzakonisht xhepin e qytetarëve dhe duhet të marrë fund sa më parë.

“Një kurdisje dhe orkestrim të të cilit po jemi dëshmitarë, është vepër penale e sansksionuar në mënyrë të dyfishtë, me burgim (1-5 vite) si dhe dënim shtesë me gjobë, bazuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës”.

Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas vizitës në fabrikën e vajit ushqimor “Floil”në Gjilan, ka komentuar ngritjen enorme të çmimit të vajit brenda 24 orëve në disa markete të Kosovës, duke potencuar se ngritja në fjalë është fryrje artificiale e qëllimshme, assesi e rastësishme.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeqeveritari, ka kërkuar që këto çmime të fryera të vajit të cilët sipas tij janë më të lartat në botë duhet të shfryhen.

Ndryshe për 50 për qind për vetëm një ditë është shtrenjtuar litra e vajit të lulediellit në Kosovë.

Përderisa një litër të mërkurën kushtonte rreth 2.3 euro, të enjten në disa markete çmimin ka fluturuar në 3.5 euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore