Lajme

Greva – “që vetë Kurti e do” – vazhdon


Foto nga Albanian Post

Deklarata e fundit e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për udhëheqësit e Këshillit Grevist se ata “kanë mbetur në kohën e PAN-it”, duke i lidhur kështu me partitë opozitare, për grevistët tregon vetëm një gjë – “Kryeministri dhe Qeveria sikur po angazhohen dhe sikur kanë dëshirë që greva të vazhdojë”.

Kështu kumtohet në një komunikatë për media nga Sindikata e Bashkuara e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, të cilët thanë se janë shprehur të indinjuar nga deklarimi i Kurtit.

“Deklarimi i kryeministrit, duke mos pasur as edhe një argument të bazuar se sindikalistët janë të PAN-it, ka krijuar indinjatë të grevistët dhe ka dëshmuar se Kryeministri dhe Qeveria as tani nuk janë të angazhuar e të interesuar për tejkalimin e situatës në gjithë sektorin e arsimit dhe te shërbyesit civilë”, thuhet në komunikatë.

Sipas grevistëve, që tash e një muaj kanë filluar grevën, “dyshim i grevistëve është forcuar pas vazhdimit të deklaratave pa as edhe një argument e fakt të Kryeministrit lidhur me grevistët dhe sindikalistët në përgjithësi”.

Mbledhja Online e SBASHK-ut

Prandaj, “të gjendur në këtë situatë e të zhgënjyer nga këto deklarime të Kryeministrit të gjithë pjesëmarrësit e këtij takimi me kryetarët e Këshillave greviste të nivelit komunal e të universiteteve me keqardhje janë shprehur se kjo mungesë e vullnetit të Kryeministrit e Qeverisë për dialog dhe injorimi i kërkesave legjitime të grevistëve po bën që greva të vazhdojë edhe në ditët ne vijim”.

Ata u shprehen të zhgënjyer se si gjatë këtij vikendi qeveria nuk incioi as një takim me ta, kur dihet se janë mbi 300 mijë nxënës tash e tri javë pa vijuar mësimin.

“Kryetarët e Këshillave Greviste komunale dhe të universiteteve dhe ata të shoqatave sindikale të Federatës së shërbyesve civilë kanë pritur se e shtuna dhe e diela do të jetë ditë të angazhimet e përkushtimit dhe Qeverisë për të pasur takime me Këshillin Grevist të BSPK-së dhe për të bërë angazhime për arritjen e një marrëveshjeje të pranueshme”.

Sic dihet, kërkesa bazë e grevistëve është që qeveria të aplikojë një shtesë prej 100 euro në muaj për punëtorët e administratës, derisa të votohet Ligji për Paga.

Kjo kërkesë e tyre vjen pas rritjes enorme të çmimeve dhe inflacionit të lartë që sipas Bankës Botërore ka kapur shifrën 19 për qind.

Haradinaj, Kurtit: Ndale grevën, ose pranoje që je i paaftë dhe jep dorëheqje

Deklaratën e Kurtit se “SBASHK-ut i është ndalur sahati në vitin 2017” dhe se “po i shërbejnë PAN-it në opozitë”, e kanë kritikuar edhe partitë opozitare.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e ka cilësuar deklarimin e Kurtit si “të dobët” duke thënë se ky cilësim është portretizim i gjithë përformancës së tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore