Lajme

Haradinaj, Kurtit: Ndale grevën, ose pranoje që je i paaftë dhe jep dorëheqje


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se është mbushur kupa.

Me nxënësit tash e një muaj në grevë, Haradinaj shkruan në Facebook se më nuk ka shumë alternativa, prandaj kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ose duhet ta “ndalë grevën”, ose të “jep dorëheqje”.

“Kush je ti që i ke dhënë të drejtë vetes që t’i lësh në rrugë 300 e sa mijë fëmijë!? A e di që e ke bllokuar krejt shtetin me kryeneçësinë tënde!”, shkruan Haradinaj.

“Shkarkoje që sonte ministren e arsimit dhe merr vendim për hapjen e shkollave. Mos shko më larg sepse edhe ashtu ke kapërcyer çdo kufi”.

Për ish-kryeministrin e Kosovës, situata e shkaktuar me grevën e sindikatave të Kosovës është emergjente.

“Nuk ka një rast tjetër në kohë paqeje që shkollat mbeten të mbyllura një muaj. Kryeministri ose duhet të gjejë zgjidhje, menjëherë, ose duhet ta pranojë se është i paaftë dhe të lëshojë rrugë!”.

Haradinaj ka kritikuar edhe qasjen e kryeministrit, i cili Këshillin Grevist e ka etiketuar si një grup me interesa politike.

“Debati që ai e ka hapur me sindikatat, është tallje me një popull dhe shprehje e paaftësisë së tij”, thotë Haradinaj.

“Sindikatat mund të jenë aty për t’ia nxirë jetën atij e çdo kryeministri tjetër dhe mund të jenë kundër tij e me dreqin e me të birin, por ai që duhet të gjejë zgjidhje është kryeministri e askush tjetër. Boll ma!”.

Greva e mësimdhënësve dhe e një pjese të madhe të administratës publike ka filluar nga 25 gushti.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka kërkesë shtimin e 100 eurove në paga, derisa të votohet Ligji për Paga i cili parasheh rritje për këto kategori.

Ata janë shprehur të gatshëm edhe që ta negociojnë këtë shumë, porse një shtesë duhet ta marrin patjetër kanë thënë, pas rritjes së madhe të çmimeve dhe inflacionit që sipas Bankës Botërore në Kosovës është 19 për qind.

Në anën tjetër, kryeministri nuk i ka përfillur në këtë kërkesë. U ka thënë se ky është shantazh ndaj shtetit dhe i ka cilësuar si palë politike të rreshtuar me opozitën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore