Lajme

Grenelli shkon në Mitrovicën e Veriut, takohet me përfaqësuesit e Listës Serbe


Richard Grenell

Richard Grenell, ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, po qëndron në Mitrovicën e Veriut, ku është duke zhvilluar një takim me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, transmeton “Kosovo-Online” – një ndër portalet e pakta në gjuhën serbe në Kosovë.

Ky takim, sipas këtij mediumi me seli në Mitrovicën e Veriut, ka filluar rreth orës 16:00, ndërsa thuhet se në këtë takim po marrin pjesë edhe përfaqësuesit e Listës Serbe – forca më e madhe politike e serbëve të Kosovë – kryetari Goran Rakiç, nënkryetari Igor Simiç dhe po ashtu edhe ish-kryetari i Zveçanit, Dragisha Miloviç.

Ndryshe, diplomati amerikan ishte angazhuar në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në një mënyrë intensive në kohën kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, udhëhiqte me qeverinë e tij të parë, por ata nuk ishin pajtuar asnjëherë për rrugën përpara drejt normalizimit.

Në kohën e Grenellit ishte nënshkruar një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ajo u nënshkrua më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan Donald Trump.

Në Kosovë ishte krijuar përshtypja se ai kishte të bënte me rrëzimin e qeverisë Kurti 1 dhe se ka qenë në listën e kontakteve të lobuesëve amerikanë për Serbinë. Një pjesë e afeksionit të publikut serb ndaj ish-presidentit Trump, i cili kishte qasje tjetër nga presidentët e mëparshëm amerikanë, u përhap automatikisht edhe te vetë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore