Shëndet

Gratë që po thyejnë stigmën mbi shëndetin mendor në Kosovë


Të kesh çrregullime të shëndetit mendor është diçka normale, edhe pse në shoqërinë kosovare, shëndeti mendor, për shumicën e njerëzve, është ende temë e ndjeshme dhe kushdo që kërkon ndihmë rrezikon të etiketohet ose të diskriminohet.

Njerëzit shmangin ose vonojnë kërkimin e trajtimit për shkak të shqetësimeve se do të trajtohen ndryshe. Shëndeti mendor përfshin mirëqenien emocionale, psikologjike dhe sociale.

Gratë kosovare që po thyejnë stigmën

Kohët e fundit, çështja e shëndetit mendor ka filluar të merret më seriozisht. Kjo ndodhë falë iniciativave dhe organizatave të cilat kryesisht janë të udhëhequra nga gratë që po synojnë të ndikojnë që çrregullimet e shëndetit mendor të jenë në qendër të vëmendjes.

Një ndër to është “Linja e Jetës” e themeluar në nëntor të vitit 2019, është qendra për parandalimin e vetëvrasjeve në Kosovë. Dorentina Podrimqaku sqaron se deri më sot “Linja” ka pranuar mbi 2000 thirrje nga persona me mendime për vetëvrasje, por asnjë nga thirrjet nuk ka përfunduar me vetëvrasje. “Shumë shpejt ne shpresojmë që të fillojmë të operojmë 24/7” shton Podrimqaku për “Grazetën”.

Një tjetër projekt mbi shëndetin mendor i themeluar po ashtu në vitin 2019 është edhe “Ditarët e Depresionit” që për synim kryesor ka nxitjen e një dialogu publik në lidhje me këtë çështje. Leonora Aliu, themeluese e këtij projekti, tregon se ai erdhi si ide e përbashkët me nënën e saj, nga përvoja personale dhe mangësia për trajtimin e çrregullimeve të shëndetit mendor.

Ndërsa në verën e vitit 2020, këtyre projekteve i është bashkangjitur edhe iniciativa “Hajde Folim”, e cila lindi si ide e dy bashkëthemelueseve Liridona Osmanaj dhe Gentrina Nuka për impaktin e COVID-19 në shëndetin mendor, e që kishte target grup moshën 16-35 vjet.

Ideja ka filluar me një qëllim: për vetëdijesimin përmes mënyrave inovative të marketingut digjital dhe duke përfituar nga fakti që një numër i madh i rinisë është aktive në rrjete sociale.

Kjo iniciativë ka mbajtur aktivitete që kanë për temë shëndetin mendor dhe shumica e tyre janë bërë në mënyrë virtuale për shkak të pandemisë.

Ndërsa organizata joqeveritare “Humannest”, e themeluar në vitin 2021 nga Zana Sopjani dhe Besjanë Krasniqi, e lansoi projektin e parë në muajin maj në kuadër të javës së ndërgjegjësimit mbi shëndetin mendor.

“Ne kemi filluar me idenë që target-grup ta kemi rininë dhe fëmijët. Projekti i parë u implementua në maj për nder të javës së shëndetit mendor me fokus tek ky grup. Fëmijët janë e ardhmja por po harrohet që janë edhe e tashmja” u shpreh Besjanë Krasniqi, bashkëthemeluese e kësaj organizate.

Përballja me stigmën

(Stigma është mosmiratimi ose diskriminimi i një personi bazuar në karakteristikat e kuptueshme shoqërore që shërbejnë për t’i dalluar ata nga anëtarët e tjerë të një shoqërie).

Ajo konsiderohet si një ndër shkaktarët kryesorë që e shtyjnë një person të ndihet në siklet dhe të ketë frikë të kërkojë ndihmë.

Në shumicën e rasteve, ajo vjen nga mungesa e informacionit ose nga frika. Disa nga llojet e stigmës janë:  stigma publike, sociale, vetë stigmatizimi (stigmatizimi i internalizuar) dhe stigma institucionale, e cila përfshin politikat e qeverisë/organizatave që kufizojnë mundësitë për njerëzit me çrregullime.

Stigma jo vetëm që prek drejtpërdrejt individët me çrregullime por prek edhe personat që i mbështesin, shpesh duke përfshirë anëtarët e familjes së tyre.

Mos pranimi i çrregullimeve të shëndetit mendor nga ta në anën tjetër mund të ndikojë negativisht. Mungesa e pranimit të problemeve të shëndetit mendor nga të afërmit e përkeqëson situatën, duke e shtuar një shtresë të stresit dhe ankthit në individin.

Nevoja për t’u ndier të dëgjuar nuk plotësohet, ndërsa ndjenja e ngecjes vazhdon të jetë prezente, gjë që mund të përforcojë mendimet për vetëvrasje.

Vetë-stigmatizimi gjithashtu rrjedh si pasojë e stigmës prezente në shoqëri, thotë Dorentina Podrimqaku nga “Linja e Jetës”.

“Ne si shqiptarë jemi mësuar që të jemi të fortë dhe të fshehim sfidat. Pasi që stigma është shumë e lartë për shëndetin mendor, personat mendojnë që nëse kërkojnë ndihmë profesionale do të veçohen nga të tjerët dhe rrjedhimisht do të etiketohen si një person ndryshe. Do të thotë se paragjykimi luan një rol shumë të madh që të hezitohet të kërkohet ndihmë” thotë Podrimqaku.

Leonora Aliu, themeluese dhe drejtoreshë e Qendrës “Sofie Aliu” dhe projektit “Ditarët e Depresionit” pohon se stigma padyshim është ndër faktorët që ndikon më së shumti në hezitimin për kërkim të ndihmës profesionale.

“Jo vetëm në shoqërinë kosovare, por sidomos në ato që bëjnë pjesë në shoqëritë e zhvillimit të tretë, si Kosova, ka ende paragjykime të mëdha dhe mite rreth shëndetit mendor dhe personave që vuajnë nga çrregullimet e natyrës së tillë”.

Edhe iniciativa “Hajde Folim” e pohon këtë ndikim të stigmës në shoqëri: “Ne si shoqëri ende e shohim psikoterapinë si diçka tabu dhe si diçka vetëm për personat që vuajnë nga sëmundje të rënda mendore”.

Sipas “Hajde Folim”, njerëzit me çrregullime psikologjike sfidohen dyfish. “Nga njëra anë, ata luftojnë me simptomat. Nga ana tjetër, ata sfidohen nga stereotipet dhe paragjykimet që vijnë nga keqkuptimet në lidhje me sëmundjen mendore.”

Kurse, sipas Besjanë Krasniqi, nga “Humannest”, ideja e stigmatizimit fillon tek keqinformimi.

“Me vetë faktin që si formë ngacmimi, mes bashkëmoshatarëve e fatkeqësisht edhe tek figurat autoritative politike, përdoret një X çrregullim mendor i caktuar për të ofenduar një person tjetër, tregon nivelin e jo edukimit të duhur për këto çështje,” thotë Krasniqi.

Fatkeqësisht, qëndrimet dhe besimet negative ndaj njerëzve që kanë një gjendje të shëndetit mendor në Kosovë janë të zakonshme. Mediat gjithashtu luajnë rol në përforcimin e stigmatizimit, duke shfaqur në përmbajtjet e tyre stereotipe të pasakta për njerëzit me çrregullime mendore.

Përfaqësimet mediatike të njerëzve me çrregullime psikologjike mund të ndikojnë në perceptimet e publikut për ta. Sipas një hulumtimi të bërë në prill 2020 për filmin “Joker” (2019), ku personazhi kryesor është një person me çrregullim mendor, i cili bëhet jashtëzakonisht i dhunshëm, thuhet se shikimi i filmit “shoqërohej me nivele të larta paragjykimi ndaj personave me çrregullime psikologjike.”

Për më tepër, autorët sugjerojnë se këto lloje të portretizimit “mund të përkeqësojnë stigmën e internalizuar, duke çuar në vonesa të kërkimit të ndihmës.”

Mungesa e hulumtimeve për PTSD

Një ndër problemet më të përbashkëta të shëndetit mendor në Kosovë sipas hulumtimeve është stresi post-traumatik (PTSD). Lufta e viteve 1998-99 ka pasur një ndikim të drejtpërdrejt në një numër të madh të popullatës. Sipas një hulumtimi të vitit 2000, 64.9% e popullsisë del të ketë pasur përvojë traumatike gjatë luftës. Studime më të fundit sugjerojnë se ky numër i çrregullimeve psikologjike po zvogëlohet ngadalë.

Në vitin 2005, sipas hulumtimit nga Qendra e Rehabilitimit e Kosovës për Viktimat e Torturës, 27.7% e popullatës kosovare kanë pasur çrregullime të konsiderueshme psikiatrike: 22% me çrregullime të stresit post-traumatik (PTSD), 41.8% me depresion dhe 43.1% me shqetësime emocionale.

Sipas Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, deri në vitin 2015, 48 veteranë të luftës kanë kryer vetëvrasje. Pasojat e luftës në shëndetin mendor nuk është se dihen, pasi që ka hapësira të mëdha nga hulumtimi në hulumtim dhe mungojnë të dhëna.

Sipas Leonora Aliut, “edukimi dhe vetëdijesimi rreth shëndetit mendor duhet të jetë një prioritet shtetëror, sidomos duke ditur se numri i vetëvrasjeve në Kosovë çdo vit po rritet. Vetëm në tre muajt e parë të vitit 2021 janë raportuar 43 tentim vetëvrasje dhe 13 vetëvrasje – gati sa gjysma e totalit të vitit 2019.”

“Qeveria duhet të alarmohet për këtë dhe të marrë hapa konkret në krijimin e politikave e planeve adekuate për adresimin e këtyre problemeve sepse nëse nuk e bën, ato veç sa do të shkojnë e shtohen dhe frikohem se do ta kemi edhe më të vështirë për të gjetur zgjidhje pastaj” -shton Aliu.

Disa faktorë më të përditshëm që mund të ndikojnë në shëndet të dobët mendor janë: disavantazhet sociale (varfëria, borxhet), humbja e një personi të dashur, zhvendosja në një qytet/shtet tjetër, fillimi i universitetit ose papunësia.

Po ashtu, vështirësitë në një marrëdhënie me partnerin e jetës, si dhe përballimi me një ndryshim të madh jetësor të papritur sikur lindja e një fëmije dhe aborti lënë gjurmë në shëndetin tonë mendor.

Shumë gra gjithashtu mund të bien në depresion edhe pas lindjes së fëmijës dhe mund të mos kenë me kë të flasin për shkak të normave patriarkale.

Pse është e nevojshme që shkollat t’i kushtojnë më shumë vëmendje shëndetit mendor?

Përveç shëndetit fizik, dihet se edhe shëndeti mendor është jetësor për mirëqenien njerëzore.

Fëmijët që kanë një gjendje të mirë të shëndetit mendor kanë shanse më të larta të rriten më të lumtur e të sigurtë. Shumica e çrregullimeve të shëndetit mendor fillojnë në një moshë të re. Prandaj, ndër funksionet më të rëndësishme të shkollës do të duhej të ishte mbrojtja e shëndetit mendor të fëmijëve.

Megjithatë, edukimi mbi këtë temë konsiderohet si jo i rëndësishëm. Edhe pse psikologët do të duhej të kishin një rol aktiv në këtë drejtim, numri i tyre nëpër shkolla është i mangët.

“Pjesa dërrmuese e shkollave publike në Kosovë nuk kanë fare të punësuar psikologë, ani pse Ligji për arsimin para universitar e obligon çdo shkollë që të punësojë së paku një psikolog. Mungesa e psikologëve në shkolla është një tregues shtesë që qeveritë e njëpasnjëshme deri më tani nuk e kanë pasur asnjëherë prioritet parandalimin e çrregullimeve të shëndetit mendor,” thotë Leonora Aliu, themeluese e “Ditarët e Depresionit” për “Grazetën”.

Sipas saj, “shëndeti mendor patjetër që duhet të trajtohet në formë kurikulare në shkollat publike, dhe pse jo edhe të organizohen sa më shumë trajnime si për nxënës ashtu edhe për mësimdhënës rreth të kuptuarit të shëndetit mendor dhe kujdesit ndaj tij.”

Kurse sipas “Hajde Folim”, duke marrë parasysh që Kosova ka një popullsi shumë të re “shkollat duhet të fokusohen në këtë çështje pasi që problemet me shëndetin mendor ndikojnë negativisht në zhvillimin e të rinjve, cilësinë e jetës dhe aftësinë për të kontribuar në komunitetin tonë.”

Viteve të fundit në Kosovë ka pasur raste të shumta të sulmeve me armë të ftohta në shkolla, konfiskime të armëve të zjarrit, rritje të përdorimit të dhunës, vetëvrasjeve të adoleshentëve, bullizmit, diskriminimit si dhe abuzimit të substancave narkotike.

E gjithë kjo vjen si mungesë e ndërgjegjësimit për shëndetin mendor në shkolla. Fëmijët nuk e kuptojnë se në çka janë duke kaluar dhe si të kërkojnë ndihmë. Ajo çka është më e keqe është që edhe shumë mësues nuk kanë dijeni mbi shëndetin mendor, madje shpeshherë mund të jenë pikërisht ata që ndikojnë në gjendjen emocionale të fëmijëve.

Por është e rëndësishme të dihet se problemet nuk tejkalohen vetëm

Të kujdesesh për shëndetin tënd mendor nuk nënkupton vetëm marrjen e ndihmës nga profesionistët por edhe lidhjen me të tjerët, përfshirjen në aktivitete fizike, gjumin e mjaftueshëm dhe qëndrimin pozitiv se ekziston një zgjidhje për çdo gjë.

Gjëja më e rëndësishme dhe ndër hapat e parë për të kërkuar ndihmë është të flasësh me dikë që i beson (shok/shoqe, anëtar i familjes ose mjek).

Sa më gjatë që simptomat nuk trajtohen, aq më i madh është rreziku i problemeve shtesë. Një formë e kujdesit është edhe plani vetë ndihmues ku ti mund të mbash llogari për veten dhe ditën tënde, duke zbatuar strategji që promovojnë mirëqenien.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore