Lajme

Gratë flasin për sfidat e grave – rruga e vështirë drejt barazisë


“Ka një vend të veçantë në ferr për gratë që nuk ndihmojnë gratë e tjera”, kishte thënë ish sekretarja e shtetit amerikan, Madeleine Albright.

Këtë thënie e ripërsërit edhe aktorja dhe profesoresha Arbnesha Grabovci Nixha, e cila është nënë e tri vajzave. Ajo veç punës së saj prej aktoreje, misionin e barazisë gjinore thotë se e ka përditshmëri. Madje në gjykimin e saj, në 8 Mars nuk duhet të festohet, por të protestohet.

“.. ditë për të protestuar për të gjitha padrejtësitë dhe jobarazitë gjinore me të cilat ne si gra po ballafaqohemi, kjo është dita kur ne gratë njëzëri duhet t’i themi JO dhunës dhe keqtrajtimit. Duhet që fuqia dhe ambiciet tona të bëjnë jehonë në të tërë botën”, thotë ajo për Albanian Post.

Të përditshme i konsiderojnë problemet e barazisë gjinore edhe dy gra të tjera, njëra profesoreshë e tjetra moderatore/gazetare.

Jehona Lushaku, profesoreshë në Universitetin e Prishtinës thotë për Albanian Post se me probleme të tilla përballet çdo ditë. Ajo është gruaja e vetme që mbanë këtë post në Departamentin e Shkencave Politike.

”Unë jam profesoreshë qe 13 vite në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës dhe ka 10 vite që jam gruaja e vetme në këtë departament”.

Ajo thotë se pikënisje në diskriminimin në familje është shembulli më ilustrativ, mënyra se si ndahet pronat. Një tjetër problem sipas saj është dhuna në familje.

“Dhuna në familje është shembull tjetër, i cili akoma eshte prezent te disa familje. Këtu problemi nuk është ligji, problemi është tek organet të cila nuk po i implementojnë mirë ato” shton më tej, Lushtaku.

Moderatorja dhe gazetarja, Edonea Demiqi Haxhiu, tregon që këtë pabarazi e vë re që nga momenti kur del nga shtëpia, por që sipas saj ka disa avansime.

“Momentin që një grua lind një foshnjë, pyetja e parë qe e shoqëron atë është “nëse është vajzë apo djalë”, por fatmirësisht ky koncept po zhduket dita ditës”.

Por, kush janë gratë që i inspirojnë këto gra dhe ku e gjejnë ato fuqinë që të luftojnë më patriarkatin?

Këto gra thonë se marrin fuqi dhe insporohen nga nënat e tyre. Por, dikush fuqinë e gjeti kur lindi vajzat.

Arbnesha Grabovci Nixha theksoi se në momentin që ajo lindi vajzat e saj pa nga afër fuqinë që posedon.

“Kur linda vajzat pash tek vetja fuqinë që kam”.

Ajo thotë se është e rrethuar me gra të fuqishme prej nga edhe e gjeneron fuqinë e saj.

Nixha thotë se ndër personalitetet që e kanë influencuar në këtë drejtim është edhe aktorja me famë botërore, Fran Dresche.

Për moderatoren dhe gazetaren, Edonea Demiqi Haxhiu, veç nënës së saj, insprim mbeten të gjitha gratë që punojnë përditë në luftën e tyre për barazi.

“Ne te gjitha jemi rezultat i grave te cilat përdorën zërin e tyre dhe besuan në vete”.

Kurse, profesoresha Jehona Lushaku vlerëson Angela Merkel-in, e cila sipas saj është një politikane e fortë që kishte guximin të dalë nga kornizat e një politikaneje në emër të humanitetit.

Në fund ajo tregon se e refuzon idenë se duhet të festohet për 8 Mars.

Lushaku tregoi se aktiviteti ku ajo merr pjesë në këtë ditë është marshi i shoqërisë civile nën sloganin “Marshojmë – S’festojmë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore