Lajme

Gjykata në Prishtinë hedh poshtë dy aktakuza ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të KPK-së


Ish-Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial, Lavdi Krasniqi

Dy pika të aktakuzës ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi janë hedhur poshtë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Krasniqi akuzohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare të cilën Gjykata Themelore në Prishtinë e ka hedhur poshtë.

Gjykata Themelore në Prishtinë, po ashtu e ka shpallur të papranueshme si provë një CD dhe transkriptimin e saj.

Në aktvendimin që ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar pjesërisht ankesat e mbrojtësve të Lavdim Krasniqit dhe Marigona Berishës për pranueshmëri të provës.

Sipas këtij vendimi, urdhri i gjyqtarit të procedurës paraprake është lëshuar në kundërshtim me procedurën e paraparë me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës.

Gjykata Themelore në Prishtinë.

“Këto prova, transkripti dhe CD do të mbyllen dhe veçohen nga shkresat e lëndës dhe mund të shqyrtohet vetëm në procedurë sipas ankesës kundër aktvendimin mbi pranueshmërinë”, thuhet në vendim.

Ndërsa, gjykata ka refuzuara pjesën tjetër të kundërshtimit të provave të paraqitur nga mbrojtësi i Krasniqit po ashtu edhe provat të cilat janë paraqitur nga mbrojtësit e të pandehurve Ardian Krasniqi dhe Marigona Berisha si të pabazuara.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), kishte shkarkuar nga detyra drejtorin e suspenduar të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi.

Ky vendim erdhi pas trajtimit të Raportit të Komisionit Disiplinor për rastin e Drejtorit të Përgjithshëm të SKPK-së (i suspenduar) dhe si masë disiplinore unanimisht është ndërmarr Ndërprerje e Marrëdhënies së Punës, gjë për të cilën anëtarët e KPK-së, kanë miratuar propozimin e Komisionit Disiplinor.

Më 6 tetor, është mbajtur seanca gjyqësore për korrupsion ndaj ish-Drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial, Lavdi Krasniqi, dhe zyrtarëve të tjerë, Ardian Krasniqi, Marigona Berisha dhe Flora Doda.

Po ashtu, me 1 mars, ish-Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi së bashku me një zyrtare tjetër të këtij institucioni, ishin arrestuar si të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore