Lajme

Kosovë: Arrestohet drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial, Lavdim Krasniqi


Është arrestuar drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi dhe një zyrtare tjetër e këtij institucioni, si të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, e ka konfirmuar për Albanian Post se dy zyrtarët e KPK-së janë arrestuar dhe janë shoqëruar në Polici për intervistim.

“Mund të konfirmojmë se, Policia e Kosovës në këtë rast Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, me urdhëresë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka shoqëruar për intervistim dy persona”, tha Kelani.

Ditë më parë Policia e Kosovës ka zhvilluar aksione në disa qytete në Kosovë, ku me dyshimin për keqpërdorime në subvencione në Ministrinë e Bujqësisë ka arrestuar mbi 20 persona.

Aksionet ishin realizuar në Prishtinë, Istog, Lipjan, Podujevë, Gjilan.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, pasi përfundimit të aksionit, pati thënë se “aksioni policor në fjalë është zhvilluar nën dyshimet për “keqpërdorim të subvencioneve, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje e dhënie ryshfeti”.

Kryeprokurori po ashtu bëri të ditur se kanë sekuestruar “një shumë të madhe të të hollave, vetura, kompjuterë, llaptopë dhe telefona të cilët do të na shërbejnë në procedurën e mëvonshme për të pasur një aktakuzë apo eventualisht gjykim të suksesshëm”.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e sigurisë kundër 11 të pandehurve në rastin e ryshfetit në rastin e ndarjes së subvencioneve në bujqësi.

Ndaj nëntë të akuzuarve është caktuar masa e paraburgimit për një muaj, ndërsa ndaj dy të pandehurve një muaj arrest shtëpiak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore