Lajme

Kosovë: Sekuestrimi i gati gjysmë milioni euro, bastisje e arrestime pas aksionit të së mërkurës


“Në bazë të provave janë bërë bastisje në disa zyre dhe vendbanime të personave ku janë konfiskuar: 433,160.00 euro, 600 dollar, 200 franga, 275 lira turke, 15 telefona, 8  vetura, 1 kompjuter, 5 armë, 1  USB dhe 1 vulë”, thuhet në njoftimin e Policisë një ditë pas aksionit të zhvilluar në disa qytete të Kosovës.

Ndërkohë, me urdhër të prokurorit njëmbëdhjetë zyrtarët e arrestuar janë dërguar në mbajtjes 48-orë, ndërsa njëri nga ta është liruar në procedurë të rregullt.

Aksioni i së mërkurës është zhvilluar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, në Ministrinë e Bujqësisë dhe në zyrat e kësaj ministrie në Prishtinë, Lipjan, Istog dhe Gjilan.

Një ditë më parë, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi në një konferencë për media, bashkë me Drejtorin e Krimeve Ekonomike, Nazmi Sahiti ka deklaruar se grumbullimi i informacioneve dhe mbledhja e provave ka nisur qysh në muajin janar.

Si rezultat i punës që nga janari, Lumezi thaksoi se është arritur në përfundimin që duhet të “zbatohen masa të fshehta të hetimit” dhe se “pas marrjes së urdhrit për bastisjen e disa lokaleve ku dyshohet se mund t’i gjejmë mjetet financiare të përfituara nga vepra penale është bërë bastisja e lokaleve”.

“Në bazë të provave të grumbulluara dhe informacioneve që kemi ky aksion do të zhvillohet edhe në ditët e ardhshme me qëllim që të sigurojmë prova të fuqishme për t’i zhvilluar hetime dhe për të pasur aktakuzë të suksesshme”, theksoi Lumezi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore