Kosova

Aksion i madh i policisë në Kosovë: Arrestohen 10 zyrtarë të shtetit, konfiskohen 400 mijë euro


Aleksander Lumezi

Janë arrestuar 12 persona, nga të cilët 10 janë zyrtarë të shtetit dhe janë konfiskuar 400 mijë euro, në një aksion të madh të policisë në Kosovë.

Aksioni është zhvilluar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, në Ministrinë e Bujqësisë dhe në zyrat e kësaj ministrie në Prishtinë, Lipjan, Istog dhe Gjilan.

Në mesin e zyrtarëve të arrestuar janë A.N, B.N dhe A.U, ndonëse arrestimi i tyre nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Megjithatë, ajo që është konfirmuar nga Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, është numri i personave të arrestuar dhe shuma e parave.

Aksioni policor në fjalë është zhvilluar nën dyshimet për “keqpërdorim të subvencioneve, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje e dhënie ryshfeti”, thotë Lumezi.

Kryeprokurori po ashtu bën të ditur se kanë sekuestruar “një shumë të madhe të të hollave, vetura, kompjuterë, llaptopë dhe telefona të cilët do të na shërbejnë në procedurën e mëvonshme për të pasur një aktakuzë apo eventualisht gjykim të suksesshëm”.

Ndërsa, Drejtori i Krimeve Ekonomike, Nazim Sahiti, ka konfirmuar se 400 mijë euro të konfiskuara janë gjetur në shtëpitë e të dyshuarve.

“Sot gjatë ditës janë konfiskuar rreth 400 mijë euro. Paratë janë gjetur në shtëpitë e të dyshuarve. Të njëjtat dyshohet se janë përdorur për veprën penale “marrje dhe dhënie ryshfeti”.

Kryeprokurori i Shtetit, në një konferencë për media, bashkë me Drejtorin e Krimeve Ekonomike, ka deklaruar se grumbullimi i informacioneve dhe mbledhja e provave ka nisur qysh në muajin janar.

Si rezultat i punës që nga janari, Kryeprokurori tregon se është arritur në përfundimin që duhet të “zbatohen masa të fshehta të hetimit” dhe se “pas marrjes së urdhrit për bastisjen e disa lokaleve ku dyshohet se mund t’i gjejmë mjetet financiare të përfituara nga vepra penale është bërë bastisja e lokaleve”.

“Në bazë të provave të grumbulluara dhe informacioneve që kemi ky aksion do të zhvillohet edhe në ditët e ardhshme me qëllim që të sigurojmë prova të fuqishme për t’i zhvilluar hetime dhe për të pasur aktakuzë të suksesshme”, ka thënë Aleksandër Lumezi.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore