Lajme

Gjuriç: SHBA-ja dhe BE-ja garantuan që s’do të ndiqen penalisht personat që qëndruan prapa barrikadave


Ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriç, ka thënë se SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian kanë garantuar se nuk do të ketë ndjeke penale për personat e armatosur e maska që qëndruam për 20 ditë prapa barrikadave në Veri të Kosovës.

“A nuk është fakt që SHBA-të së bashku me BE-në deklaruan se nuk do të ketë ndjekje penale për ata që qëndruan në barrikada si dhe disa zyrtarë amerikanë folën për faktin se e kuptojnë pakënaqësinë e serbëve dhe nevojën për të dëgjuar kërkesat legjitime”, tha Gjuriç për mediumin serb pro qeveritar Novosti.

Ai ka theksuar se garancitë ndërkombëtare që ka marrë Serbia janë një hap në rrugën e duhur në drejtim të përmirësimit të jetës së serbëve në Veri të Kosovës.

“Escobar dhe Hill, së bashku me Lajçak-un, kanë qenë partnerë konstruktivë të Serbisë në javët e kaluara. Disa vende të tjera nuk janë. Diplomacia serbe në të gjitha nivelet do të punojë në fuqizimin e kapaciteteve për të ndikuar në qëndrime të tilla”.

Më 30 dhjetor të vitit të kaluar, Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se në Veri të Kosovës janë larguar të gjitha barrikadat dhe si rrjedhojë janë liruar për qarkullim dy pikë kalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, të cilët ishin mbyllur nga 10 dhjetori kur serbët në shenjë revolte kishin bllokuar rrugët duke pamundësuar lirin e lëvizjes.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte theksuar se “kot u lodhën me barrikada, tash vetë po i heqin”.

“Barrikadat po hiqen. Të dielën e thamë që është çështje ditësh kur do të largohen ato. Edhe më mirë që kjo të bëhet pa ndërhyrjen e policisë sonë. Vet i vunë barrikadat, vet i hoqën ato. Me fjalë të tjera krejt kot janë lodhur ata të cilët e bllokuan vetën”, tha Kurti.

Largohen barrikadat në Veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore