Lajme

“Gjithçka përtej Udhëzimit Administrativ është kërkesë e Beogradit”, thotë Krasniqi


Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë, ka thënë se Udhëzimi Administrativ për largimin e kryetarëve të katër komunave Veriore, është e vetmja “rrugë demokratike” dhe se çdo gjë përtej kësaj është “kërkesë e Beogradit”.

Kjo deklaratë e Krasniqit vjen pas intervistës së të Dërguarit Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ku tha tha se mënyra më e mirë për largimin e kryetarëve të komunave Veriore është dorëheqja.

“Udhëzimi Administrativ është procesi më demokratik dhe gjithçka tjetër nuk është kërkesë e qytetarëve atje, por janë kërkesa të Beogradit”, deklaroi Krasniqi, teksa shtoi se këso kërkesa nuk janë në të mirë të qytetarëve.

Ministri insistoi se Udhëzimi Administrativ për largimin e katër kryetarëve të katër komunave Veriore, është procesi më demokratik i mundshëm dhe se i njëjti ka bazë ligjore.

“Mundësia e ligjit për vetëqeverisje lokale, neni 72 i këtij ligji, është baza ku është bazuar Udhëzimi Administrativ”, tha Krasniqi.

Në procesin e hartimit të këtij udhëzimi, ministri pohoi se “kemi pasur takime të ndryshme me përfaqësues të ambasadave, në mënyrë që të prezantohet puna e grupit punues, dhe të merën parasysh rekomandimet profesionale të tyre, atyre të Bashkimit Evropian”.

“Ka pasur përfaqësues të komunave në grup punues edhe përfaqësues të shoqërisë civile”.

Udhëzimi Administrativ, sipas tij, është instrumenti “i vetëm demokratik për inicimin e kërkesës” për largimin e kryetarëve, për shkak se “ka qenë i vetmi institucion, kryetari i komunës, i cili nuk ka parapa edhe formën se si mund të largohet pos votimit të drejtpërdrejtë dhe dorëheqjes”.

“Kështu që tash, një kryetar komune, me votën e njëjtë që zgjidhet mundet edhe të largohet”.

Njohës të fushës e kanë konsideruar këtë udhëzim si joligjor, mirëpo për këtë çështje Krasniqi, refuzoi që të flasë, duke insistuar tek “procesi demokratik”.

“Unë nuk mund të flas për rreziqet, po flas për një proces demokratik ku ne si ministri përgjegjëse për Administrimin e pushtetit lokal kemi marrë një detyrë, pra që të hartohet një Udhëzim Administrativ, i cili e proceson kërkesën e qytetarëve, për shkak se është e drejtë e tyre për largimin e kryetarëve”.

Udhëzimi Administrativ për largimin e kryetarëve, “rrugë e gabuar, e pamundur, e kushtueshme”

Çfarë shkruan në Udhëzimin Administrativ?

Në udhëzim thuhet se mbledhja e nënshkrimeve duhet të bëhet mbi bazën e vullnetit të lirë dhe pa presion.

Fillimisht duhet të formohet një grup, i quajtur nismëtar, i përbërë prej të paktën tre personave që e përfaqësojnë kërkesën nga komunën përkatëse.

Ky grup, para nisjes së mbledhjes së nënshkrimeve duhet të njoftojë kryesuesin e kuvendit komunal – në komunën përkatëse – dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Më pas, kryesuesi e informon kryetarin e komunës përkatëse, ministrinë përkatëse për pushtet lokal dhe KQZ-së për kërkesën e grupit nismëtar.

Pas pranimit të kërkesës, jo më vonë se pesë ditë, kryesuesi i kuvendit komunal e shqyrton atë dhe e regjistron grupin nismëtar si palë të autorizuar.

Nëse kjo nuk bëhet brenda afatit, atëherë grupi nismëtar mund të kërkojë nga KQZ-ja të shqyrtojë kërkesën dhe ta regjistrojë si palë të autorizuar.

Jo më vonë se pesë ditë nga regjistrimi, grupi nismëtar duhet të paraqesë te kryesuesi i kuvendit komunal dokumentacionin e nevojshëm ku përfshihen lista e nënshkrimeve dhe autorizimi nga kuvendi komunal për shfrytëzimin e hapësirës publike për mbledhjen e nënshkrimeve.

Udhëzimi Administrativ.

Më pas KQZ-ja, jo më vonë se pesë ditë nga pranimi i kërkesës, njofton kryesuesin e kuvendit komunal, grupin nismëtar për numrin e tërësishëm të votuesve në komunën përkatëse dhe për numrin e nënshkrimeve që kërkohen.

Grupi nismëtar ka afat prej 30 ditësh që të mbledhë nënshkrimet fizikisht. Afati mund të shtyhet vetëm një herë për 15 ditë.

Më pas nënshkrimet dorëzohen te kryesuesi i kuvendit komunal dhe KQZ-ja. Pas kësaj, institucioni i zgjedhjeve verifikon nënshkrimet dhe nëse nuk janë aq sa kërkohen – 20 për qind e votuesve – nismëtarët e kërkesës kanë afat prej 10 ditësh për të përmbushur këtë kuotë.

Nëse KQZ-ja më pas konfirmon se janë mbledhur nënshkrimet e duhura, atëherë organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Votimi organizohet nga KQZ-ja.

Sipas Udhëzimit Administrativ në fjalë votimi për largimin nga detyra të një kryetari komune duhet të mbahet jo më vonë se 45 ditë pas konfirmimit se është përmbushur kuota prej 20 për qind.

Nëse 50+1 për qind e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të kryetarit, atëherë ai konsiderohet se është larguar nga posti.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por, nëse gjatë votimit nuk arrihet shifra prej 50 për qind, nisma konsiderohet se ka dështuar dhe, sipas udhëzimit administrativ, një iniciativë e njëjtë mund të ndërmerret vetëm pas 12 muajsh.

Largimi i kryetarëve në katër komunat veriore përmes një peticioni u pa me skepticizëm si nga aktorët vendor edhe nga ndërkombëtarët të cilët kërkojnë që kryetarët të largohen vetiu dhe vullnetarisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore