Lajme

Udhëzimi Administrativ për largimin e kryetarëve, “rrugë e gabuar, e pamundur, e kushtueshme”


Foto: Albanian Post.

Jo të rrugës së duhur, të kushtueshme, negative dhe të pamundur po e shohin njohësit e çështjeve juridike Udhëzimin Administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve që t’u hap rrugë zgjedhjeve të reja në katër komunat në Veri.

Përveç kësaj ata për Albanian Post e përshkruajnë si një “modalitet të gjatë” udhëzimin, në vend se të gjendet ndonjë rrugë e shkurtë e cili do e përshpejtonte këtë proces.

“Udhëzimi Administrativ negativ dhe i kushtueshëm”

Ish-kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Mazllum Baraliu, në një bisedë për Albanian Post thotë se ka pasur zgjidhje të tjera për situatën në Veri, vetëm se do të duhej të kishte vullnet nga pushteti.

“Ka pasur alternativa të tjera për të shkuar në zgjedhje dhe alternativa më të lehta, më efikase, më të thjeshta dhe pa pasoja. Njëra ndër to do të ishte përmes dorëheqjeve të kryetarëve aktualë të katër komunave”.

“Këtë model si e ka publikuar pushteti, ky udhëzim administrativ ka edhe probleme teknike”, thotë Baraliu për AP.

Sipas tij, vetëm përmes dorëheqjes së kryetarëve procesi do të përshpejtohej dhe presidentja do të mund ta zbatonte Kushtetutën në kompetencat e saj.

Ish-kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Mazllum Baraliu.

“Përmes zgjedhjeve do të duheshin që të gjenden modalitete të cilat përshpejtojnë procesin dhe ai modalitet më së miri do të ishte dorëheqja e këtyre kryetarëve. Vetëm ashtu i hapet rruga edhe presidentes që ta zbatoj edhe Kushtetutën dhe të shpallen zgjedhjet në Veri”.

Ai shton se, “ky precedent, ky shembull, ky udhëzim administrativ mund edhe të keqpërdoret në të ardhmen prandaj është negativ dhe i kushtueshëm”.

Albanian Post ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në rast se ky institucion përfshihet në procedura të Udhëzimit Administrativ sic parashihet, por që deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk është pranuar përgjigje.

Ndërsa, ish kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, në një bisedë telefonike të shkurtër për Albanian Post ka thënë se pas publikimit të udhëzimit “është kuptuar që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i përfshirë në këtë procedura”.

“Udhëzimi Administrativ i pamundur që të dërgohet deri në fund dhe t’i zgjidh problemet në Veri”

Edhe Sadri Rrmoku, nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale, thekson se përmes këtij udhëzimi është e pamundur që të zgjidhen problemet në katër komunat në Veri.

“Duke e marrë parasysh situatën e re politike që na është krijuar në Veri të Kosovës, ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e ka parë të arsyeshme që të krijohet një udhëzim administrativ por përkundër angazhimit të ministrisë për krijimin e këtij udhëzimi mendoj që një proces i tillë është bukur i pamundur të realizohet, e po ashtu të dërgohet deri në fund për shkak të disa problemeve që ne mund t’i kemi në proces”, thotë Rrmoku për AP.

 

Sadri Rrmoku, nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale.

Çfarë shkruan në Udhëzimin Administrativ?

Në udhëzim thuhet se mbledhja e nënshkrimeve duhet të bëhet mbi bazën e vullnetit të lirë dhe pa presion.

Fillimisht duhet të formohet një grup, i quajtur nismëtar, i përbërë prej të paktën tre personave që e përfaqësojnë kërkesën nga komunën përkatëse.

Ky grup, para nisjes së mbledhjes së nënshkrimeve duhet të njoftojë kryesuesin e kuvendit komunal – në komunën përkatëse – dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Më pas, kryesuesi e informon kryetarin e komunës përkatëse, ministrinë përkatëse për pushtet lokal dhe KQZ-së për kërkesën e grupit nismëtar.

Pas pranimit të kërkesës, jo më vonë se pesë ditë, kryesuesi i kuvendit komunal e shqyrton atë dhe e regjistron grupin nismëtar si palë të autorizuar.

Nëse kjo nuk bëhet brenda afatit, atëherë grupi nismëtar mund të kërkojë nga KQZ-ja të shqyrtojë kërkesën dhe ta regjistrojë si palë të autorizuar.

Jo më vonë se pesë ditë nga regjistrimi, grupi nismëtar duhet të paraqesë te kryesuesi i kuvendit komunal dokumentacionin e nevojshëm ku përfshihen lista e nënshkrimeve dhe autorizimi nga kuvendi komunal për shfrytëzimin e hapësirës publike për mbledhjen e nënshkrimeve.

Udhëzimi Administrativ.

Më pas KQZ-ja, jo më vonë se pesë ditë nga pranimi i kërkesës, njofton kryesuesin e kuvendit komunal, grupin nismëtar për numrin e tërësishëm të votuesve në komunën përkatëse dhe për numrin e nënshkrimeve që kërkohen.

Grupi nismëtar ka afat prej 30 ditësh që të mbledhë nënshkrimet fizikisht. Afati mund të shtyhet vetëm një herë për 15 ditë.

Më pas nënshkrimet dorëzohen te kryesuesi i kuvendit komunal dhe KQZ-ja. Pas kësaj, institucioni i zgjedhjeve verifikon nënshkrimet dhe nëse nuk janë aq sa kërkohen – 20 për qind e votuesve – nismëtarët e kërkesës kanë afat prej 10 ditësh për të përmbushur këtë kuotë.

Nëse KQZ-ja më pas konfirmon se janë mbledhur nënshkrimet e duhura, atëherë organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Votimi organizohet nga KQZ-ja.

Sipas Udhëzimit Administrativ në fjalë votimi për largimin nga detyra të një kryetari komune duhet të mbahet jo më vonë se 45 ditë pas konfirmimit se është përmbushur kuota prej 20 për qind.

Nëse 50+1 për qind e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të kryetarit, atëherë ai konsiderohet se është larguar nga posti.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por, nëse gjatë votimit nuk arrihet shifra prej 50 për qind, nisma konsiderohet se ka dështuar dhe, sipas udhëzimit administrativ, një iniciativë e njëjtë mund të ndërmerret vetëm pas 12 muajsh.

Largimi i kryetarëve në katër komunat veriore përmes një peticioni u pa me skepticizëm si nga aktorët vendor edhe nga ndërkombëtarët të cilët kërkojnë që kryetarët të largohen vetiu dhe vullnetarisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore