Lajme

Gjermania thirrje Serbisë të heq dorë nga dhuna


Annalena Baerbock

Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, lëshoi një thirrje të qartë ndaj autoriteteve të Serbisë të martën pasdite pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në hyrje të fshatit Banjskë në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe – ku u vra një rreshter policor dhe u plagosën dy të tjerë.

Shefja e diplomacisë gjermane, nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në platformën “X”, theksoi se autoritetet në Beograd duhet të bëjnë thirrje për të dënuar dhunën. Ky reagim i kryediplomates gjermane vjen pas vendimit të zyrtarëve serbë për të shpallur ditë zie të martën e 26 shtatorit në nderim të terroristëve që sulmuan Policinë e Kosovës.

“Pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës, të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për rolin e tyre në paqe. Në situatën e tensionuar në Ballkanin Perëndimor, përgjegjësia matet me atë se çfarë bën dikush për de-eskalim. Serbia posaçërisht dhe pa mëdyshje duhet të bëjë thirrje për heqjen dorë nga dhuna”, ka shkruar qartazi Baerbock.

Në një video të publikuar të martën nga Policia e Kosovës, shihet edhe nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – Milan Radojiçiç, duke udhëhequr terroristët që sulmuan Policinë e Kosovës, të dielen e 24 shtatorit, ku për pasojë u shua jeta e rreshterit Afrim Bunjaku, tashmë Hero i Kosovës.

Grupi që ngriti në nivele të larta shkallën e egërsisë në veri, sipas autoriteteve kosovare, nuk ka qenë në përbërje të civilëve të rëndomtë që ngrenë krye herë pas here në këtë zonë, por ka ngërthyer brenda vetes së paku 30 pjesëtarë të trajnuar, ushtarakë e paramilitarë, të cilët janë sponsorizuar dhe mbështetur nga shteti serb.

Pjesëtarët e këtij grupi, pas vrasjes së policit kosovar në krye të detyrës dhe plagosjes së dy policëve të tjerë, gjetën strehë në Manastirin e Banjskës, ku u barrikaduan për orë të tëra dhe shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së dielë, duke tentuar të provokonin kryengritje më të gjërë. Në mesin e tyre edhe Radojiçiç.

Radojiçiçi i cili ka mbështetjen e presidentit serb dhe autoriteteve në Beograd, kërkohet me urdhërarrest nga Qeveria e Kosovës dhe është gjithashtu në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Britanisë së Madhe për përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar.

Terroristët që cenuan sigurinë dhe paqen në veriun e trazuar të vendit, u neutralizuan nga Policia e Kosovës dhe operacioni policor gëzoi mbësheje të gjërë ndërkombëtare. Tre pjesëtarë të bandës terroriste, sipas të dhënave aktuale, u vranë, dy të tjerë u plagosën dhe tetë janë arrestuar deri më tash, ndërsa të tjerët janë arratisur në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore