Lajme

Gjermani, dozë përforcuese për moshën mbi 18 vjeç


Komiteti i Përhershëm i Gjermanisë për Vaksinimin (STIKO) ka rekomanduar vaksinë përforcuese për të gjithë mbi moshën 18 vjeç.

Ata kanë propozuar që injeksionet përforcuese të vaksinave mRNA të jepen gjashtë muaj pas dozës së fundit të vaksinës.

Sipas Komitetit, përparësi për dozën përforcuese të vaksinat rekomandohet t’u jepet njerëzve mbi 70 vjeç, banorëve dhe kujdestarëve në shtëpitë e të moshuarve dhe personelit në objektet mjekësore.

Pavarësisht se çfarë vaksine është dhënë më parë, vaksinat mRNA duhet të administrohen si vaksina përforcuese.

Gratë shtatzëna pas tremujorit të dytë duhet gjithashtu të marrin injeksione përforcuese.

Komiteti po ashtu “u bën thirrje urgjentisht të gjithë personave të pavaksinuar më parë që të përfitojnë nga oferta e vaksinimit kundër COVID-19”.

Qëllimi në administrimin e vaksinave përforcuese është të zvogëlojë rastet e infeksionit dhe transmetimit, ndërsa Gjermania dhe Evropa luftojnë me një valë të re, rekord të rasteve të COVID-19.

Gjatë 24 orëve të fundit, Gjermania ka regjistruar më shumë se 65 mijë infeksione të reja, një rekord.

Një nga virologët kryesorë të vendit paralajmëroi se do të nevojitej një lockdown (bllokim) tjetër nëse vaksinimet nuk përshpejtohen shpejt.

Zyrtarët qeveritarë kanë thënë vazhdimisht se nuk kanë ndër mend të vendosin bllokime dhe, në vend të kësaj, u kanë bërë thirrje banorëve që të vaksinohen.

Gjermania ka aktualisht një Qeveri kombëtare të përkohshme pas zgjedhjeve federale të shtatorit.

Ashtu si gjatë periudhave të tjera të pandemisë, vendi ka një sërë rregullash rajonale.

Shumica e vendeve kufizojnë qasjen në shumë institucione.

Megjithatë, rregullat shpesh zbatohen me lehtësi.

Disa spitale kanë thënë ditët e fundit se po punojnë sërish në kufijtë e tyre dhe janë aq të mbushura me pacientë COVID-19 sa nuk mund të pranojnë pacientë të rinj për momentin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore