Sport

Giroud refuzoi 8 milionë euro pagë nga klubi anglez


Sulmuesi i Milan-it, Olivier Giroud, vendosi t’i qëndrojë besnik skuadrës së tij në një moment të vështirë që ata po kalojnë.

Sipas asaj që shkruan britanikja, “The Sun”, sulmuesi francez refuzoi nga skuadra e Everton-it një kontratë të majme.

Mediumi i lartcekur shkruan që Everton i ofroi atij një kontratë me një pagë prej mbi 8 milionë euro në sezon për t’iu bashkuar atyre.

Por, përgjigjja e 36-vjeçarit ka qenë “Jo” edhe pse te Milan-i ai përfiton një pagë prej mbi 3.5 milionë euro në sezon dhe tani është në gjashtë muajt e fundit të kontratës së tij.

Pra, ai nuk deshi ta lërë ekipin e tij në një moment kaq të vështirë që po kalojnë në këtë fillim të vitit, teksa në gjashtë ndeshjet e vitit 2023, kanë fituar vetëm njërën, ndërsa kanë humbur katër dhe kanë barazuar një.

Giroud ka luajtur në këtë sezon në 26 ndeshje në të gjitha garat me fanellën kuqezi, prej të cilave ka shënuar 10 gola dhe ka dhuruar gjashtë asistime.

Ndërkohë, francezi ishte ndër lojtarët kryesorë që Milan-i e fitoi titullin kampion në sezonin e kaluar, duke ndihmuar ekipin me 14 gola dhe katër asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore