Kosova

Gërvalla: Vuçiç e ka përvojën e Millosheviçit për kidnapime, po e teston Perëndimin


Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka reaguar pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga Serbia.

Ajo ka theksuar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç e ka përvojën e ish-presidentit serb, Slobodan Millosheviç për kidnapime dhe “po e teston Perëndimin”.

 

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar lirimin e menjëhershmen të policëve të rrëmbyer si dhe reagimin e bashkësisë ndërkombëtare për këtë rast.

Kurti përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se “tre zyrtarë të policisë së Kosovës janë rrëmbyer sot në Leposaviq në vendin ku dikur kishte një rrugë ilegale të kontrabandës e që ndodhet rreth 300 metra në brendësi të territorit të shtetit tonë”.

“Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviç – Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës”, pohoi ai.

Policia e Kosovës ka njoftuar se në thellësi të territorit të Republikës së Kosovës, në zonën kufitare në veri të vendit janë kidnapuar tre zyrtarët policorë.

Sipas njoftimit, “njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë”.

“Sot, në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së. Me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare por jo edhe vet zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion”.

Rrëmbimi i tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, çfarë ndodhi?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore