Lajme

Rrëmbimi i tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, çfarë ndodhi?


Policet e Kosoves te kidnapuar nga Serbia

3 policë të Kosovës janë kidnapuar nga xhandarmëria serbe.

Në vazhdën e tensioneve të krijuara në Veri të Kosovës, që nga 26 maji, kur serbët lokalë kundërshtuan në mënyrë të dhunshme që kryetarët e zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit të futeshin në zyrat e tyre, pasditen e së mërkurës, janë rrëmbyer tre policë të Kosovës nga Serbia.

Për rrëmbimin e policëve të Kosovës, Policia e Kosovës, kryeministri, Albin Kurti, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, thanë se ka ndodhur brenda territorit të Republikës së Kosovës, për dallim nga pretendimi i Serbisë që deklaruan se një gjë e tillë ka ndodhur brenda territorit të Serbisë.

Fillimisht lajmin e konfirmoi Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.

“Në thellësi të territorit të Republikës së Kosovës, në zonën kufitare në veri të vendit dyshohet se janë kidnapuar tre zyrtarë kufitar patrullues”, njoftoi policia e Kosovës.

Sipas njoftimit, “njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë”.

“Sot, në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së. Me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare por jo edhe vet zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion”.

“Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policor janë kidnapuar nga forcat serbe”.

“Me qëllim që të ndërmerren veprime konkrete për sigurinë e zyrtarëve policorë që dyshohet të jenë kidnapuar nga forcat serbe, janë kontaktuar të gjitha mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar që të njëjtit të lirohen sa më parë dhe të kthehen në Polici të Kosovës. Po ashtu edhe media të ndryshme serbe kanë raportuar se pjesëtarët e njësiteve speciale serbe, kanë arrestuar zyrtarët e Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Cilat ishin reagimet e institucioneve të Kosovës?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar lirimin e menjëhershmen të policëve të rrëmbyer si dhe reagimin e bashkësisë ndërkombëtare për këtë rast.

Kurti përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se “tre zyrtarë të policisë së Kosovës janë rrëmbyer sot në Leposaviq në vendin ku dikur kishte një rrugë ilegale të kontrabandës e që ndodhet rreth 300 metra në brendësi të territorit të shtetit tonë”.

“Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviç – Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës”, pohoi ai.

Albin Kurti

Ndërkaq, kreu i ekzekutivit theksoi se “Policia e Kosovës është treguar tejet e vetëpërmbajtur këto javët e fundit”.

“Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim”.

Tutje, ai tha se “kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policor dhe ftojmë faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se kidnapimi i tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Kosovës “është agresion nga ana e Serbisë”, derisa ka kërkuar që policët “të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht”.

Vjosa Osmani

“Ky akt dëshmon edhe njëherë se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon, por për të shkaktuar destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit”, ka shkruar ajo në Facebook.

“Akti i sotëm dëshmon se Serbia vazhdon të veprojë me logjikën e së kaluarës, tendencat hegjemoniste të së cilës kanë shkaktuar krime të tmerrshme dhe shumë viktima”.

Reagim të ashpër për kidnapimin e tre policëve kufitarë të Kosovës nga xhandarmeria serbe në pjesën veriore të vendit, ka pasur Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Konjufca ka thënë që përveçse ky akt paraqet cenim të sovranitetit dhe të sigurisë së Kosovës nga Serbia, ajo është tregues i qartë se shteti serb po dëshiron të nxisë tensione në mes dy vendeve në një kohë përpjekjesh për normalizimin e marrëdhënieve.

“Në kohën kur Serbia do duhej të urdhëronte bandat kriminale në veri të Kosovës që të tërhiqeshin nga përpjekja për destabilizim të rendit në katër komunat veriore të Kosovës, ajo vazhdon më tutje duke i përfshirë formacionet zyrtare policore në cënimin e integritetit territorial të Kosovës”, deklaroi ai.

Gluak Konjufca

Reagim pati edhe nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Përderisa rendi dhe ligji po zbatohet në vendin tonë, Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar 3 zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës, në shkelje të çdo marrëveshje e kundër çdo parimi të normave ndërkombëtare”, ka shkruar ai në rrjetin social ‘Facebook’.

Ai tutje ka thënë se nuk ka ndonjë dilemë që zyrtarët policorë kanë qenë brenda territorit të tyre.

Xhelal Sveçla

“Pa asnjë dyshim, zyrtarët tanë policorë kanë qenë të vendosur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në pikë kontroll statik, duke kryer detyrat e tyre të rregullta”.

“Serbia po vazhdon të jetë shkaktar dhe gardian i së keqes në rajon e në Kosovë. Ne nuk zmbrapsemi para kriminelëve e terroristëve. Serbia po tregon përsëri fytyrën e saj të vërtetë dhe atë të një shteti autokrat e agresor”.

Reagimet e opozitës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar përgjegjësi politike nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se të tre policët e rrëmbyer “i presim në shtëpi”.

“Ky është borxhi ynë si Republikë përballë agresionit luftënxitës të Serbisë. Lirimi i tyre i menjëhershëm është domosdoshmëri”, shtoi ai.

Lumir Abdixhiku

Sipas tij, për ta bërë një gjë të tillë “bashkërendimi e përafrimi me aleatë është i paalternativë”.

“Prandaj, sot, bie dhe perdja e naiviteti popullist që këtë bashkërendim e shihte si dobësi”, potencoi Abdixhiku, duke shtuar se “dobësi e vetme është thirrja e vonuar për ndihmë, pasi je poshtëruar”.

Ndërsa, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të ndërmarrin çdo veprim për t’i liruar.

Memli Krasniqi

Krasniqi tha se “Partia Demokratike e Kosovës shpreh indinjatën e thellë dhe denoncon ashpër rrëmbimin e sotëm të tre policëve të Kosovës nga njësitë speciale të Policisë së Serbisë”.

Ndërkaq, ai potencoi se Partia Demokratike e Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë “çdo veprim të nevojshëm për lirimin e menjëhershëm të policëve të rrëmbyer dhe për të garantuar integritetin territorial të Kosovës dhe sigurinë e qytetarëve tanë”.

Reagim më i ashpër erdhi nga Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas kidnapimit të tre policëve nga Serbia.

“E ftojmë Sveçlën që të jap dorëheqje, sepse sot është përdhosur uniforma e policisë së Kosovës”, tha ai gjatë një konference për media.

Ramush Haradinaj

Pretendimet e Serbisë

Për rrëmbimin e policëve të Kosovës ka dalur me reagim edhe Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ata të tre janë kapur brenda territorit të Kosovës, derisa MPB pretendon se i kapën në territorin e Serbisë.

Sipas njoftimit të tyre, policët kishin për qëllim kryerjen e një aksioni.

MPB serbe shkruan se ky aksion, sipas tyre, “sipas të gjitha parametrave është akt me qëllim të destabilizimit shtesë dhe përshkallëzimit të konfliktit të drejtuar kundër Republikës së Serbisë”.

Ndërsa, Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, në një konferencë për media të mërkurën në Beograd, pretendoi se policët e kidnapuar të Kosovës nga xhandarmeria serbe “ishin të armatosur deri në dhëmbë”.

Madje, sipas korrierit kryesor të propagandës serbe, policët kufitarë të Kosovës “janë arrestuar në thellësi të territorit të Serbisë qendrore, në afërsi të Rashkës”, ndërsa shtoi se “pjesëtarët e policisë sonë nuk kanë shkelur në territorin e Kosovës”.

Petar Petkovic

“Dëshiroj të theksoj se pjesëtarët e policisë sonë nuk kanë shkelur në territorin e Kosovës dhe nuk kanë shkelur as rezolutën 1244 [të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara] dhe as Marrëveshjen Ushtarako-Teknike për shkak se nuk kanë kaluar vijën administrative”.

“Ata që kanë shkelur këto marrëveshje ndërkombëtare janë pikërisht pjesëtarët e Policisë së Kosovës”, pretendoi Petkoviç, teksa pohoi se për këtë, shteti serb është i gatshëm të ofrojë të gjitha provat dhe hapjen e një hetimi ndërkombëtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore