Sport

FSHF: Nuk kemi tifozë të dhunshëm, ata janë krenaria e Shqipërisë


Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), përmes një deklarate të shkruar për media, ka reaguar lidhur me ngjarjet që ndodhën në stadiumin “Air Albania”, gjatë ndeshjes Shqipëri-Poloni.

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Polonisë u zhvillua të martën e 13 tetorit, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës “Katar 2022”.

Ajo u ndërpre për pak momente, pasi tifozët shqiptarë hodhën sende të forta në fushë, kur Polonia shënoi golin e avantazhit.

Përmes kësaj letre, FSHF thotë se “Tifozat Kuqezi” janë krenaria e Shqipërisë, ndërsa janë pak individë që njollosin ata.

“Ne jemi të vetëdijshëm se incidentet e të martës në mbrëmje nuk na nderojnë. Duhet të nxjerrim të gjithë mësime për sa na përket si organizatorë. Kishim 22 mijë tifozë të shkëlqyer dhe vetëm dhjetëra individë na njollosin gjithçka të mirë që skuadra ka bërë deri më tani”.

“Një gjë është shumë e qartë: Ne nuk kemi tifozë të dhunshëm, nuk kemi një historik të tifozëve problematikë, përkundrazi, sjellja e shkëlqyer dhe mbështetja që tifozët tanë japin në ndeshjet dhe jashtë fushe është bërë objekt krenarie për ne”, shkruan FSHF.

Më tej, në letër thuhet se tifozët polakë kishin sjellje agresive dhe ishin ata që provokuan në stadium shqiptarët, duke nxitur dhunë në stadium.

“Ngjarjet e djeshme janë pasojë e një provokimi të vazhdueshëm, dhe një sjelljeje shumë agresive nga ana e tifozëve polakë që kanë goditur për gati 2 orë tifozët tanë në dy tribuna”.

“Tifozët polakë njihen për të tilla sjellje dhe, prej ditësh, të gjithë autoritetet e përfshira në ndeshje kanë bërë maksimumin për të parandaluar ngjarje më të rënda”, shkruhet në letrën e FSHF-së.

Kujtojmë që UEFA ia besoi FSHF-së organizimin e finales të edicionit të parë, në Europa Conference Leauge, që do të mbahet më 25 maj të vitit të ardhshëm.

Në FSHF thonë se janë duke punuar me UEFA-n, pikërisht për sigurinë nëpër stadiume.

“FSHF ishte duke punuar prej muajsh me UEFA-n, në lidhje me një aktivitet të rëndësishëm për sa i përket sigurisë në stadiume, edhe në kuadër të finales së Conference League”.

“Pas ngjarjeve në ndeshjen me Poloninë, ky aktivitet bëhet edhe më emergjent, në mënyrë që të gjithë aktorët dhe faktorët e përfshirë në të tilla çështje të bëjnë më të mirën për organizimin e një ndeshjeje”.

“Ekspertët e UEFA-s do të jenë këtu për të ndjekur disa ndeshje të Abissnet Superiores dhe kryesisht derbit ku ka prani më të madhe tifozësh, për të strukturuar në mënyrë perfekte organizimin për të tilla ndeshje”, shkruhet mes të tjerash në reagimin e FSHF-së.

Kujtojmë që ndeshja mes Shqipërisë dhe Polonisë ishte shumë e rëndësishme, pasi në rast të fitores së kuqezinjve, atëherë me shumë mundësi do të sigurohej faza play-off për të kërkuar një kualifikim historik në Kupën e Botës.

Ndërsa tani, me humbjen ndaj Polonisë, vendi i dytë do të jetë shumë i vështirë për t’u arritur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore