Shqipëria

Frontex feston 3-vjetorin e bashkëpunimit me Shqipërinë, qindra kilogramë drogë të kapura


Prej tre vjetësh, Agjencia Evropiane për Mbrojtjen Kufitare dhe Bregdetare ka bashkëpunuar me Shqipërinë dhe pikërisht për këtë arsye, ka vendosur të pasqyrojë një bilanc të punës së bërë në bashkërendim me vendin tonë.

Iniciativa është vlerësuar shumë pozitivisht nga të gjitha vendet e unionit, për shkak të suksesit të arritur në kufizimin e emigracionit të jashtëligjshëm dhe të trafikimit të qenieve njerëzore apo lëndëve narkotike të ndryshme.

Shqipëria, si pjesë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, është gjithashtu kontributore në suksesin e operacioneve në bashkëpunim me Frontex. Madje, Tirana zyrtare ka luajtur ndër rolet kryesore, edhe për arsye të pozitës gjeografike në të cilën ndodhet, pasi është kufiri i parë ballkanik, me të cilin ndeshen emigrantët apo trafikantët.

Në tre vjet, shumë është arritur.

65 trafikantë të qenieve njerëzore janë evidentuar dhe kapur. Rastet e trafikimit të lëndëve narkotike kanë qenë 35 dhe sasia e kapur ka qenë e madhe.

Lënda kanabis sativa ka zërin kryesor, me 747 kilogramë kanabis të sekuestruar. 642 kilogramë ka qenë sasia e kokainës, ndërsa e heroinës, 82 kilogramë.

Po të shumta kanë qenë edhe rastet e evidentimit të kalimit të kufijve me dokumentacion fals apo mjete automobilistike të vjedhura. Për të parën, janë pikasur 63 raste dhe për të dytën, 23.

“Agjencia vijon të mbështesë Shqipërinë në disa operacione, të cilat zhvillohen në det, tokë dhe ajër”, shkruhet në një njoftim nga Frontex. “Qëllimi i tyre mbetet të sulmojë krimin përtej kufitar dhe të forcojë bashkëveprimin mes enteve kufitare”.

Në gatishmëri për të ndihmuar forcat shqiptare, janë vënë edhe 132 oficerë të Frontex si edhe 21 mjete patrullimi.

Kthime të emigrantëve të jashtëligjshëm shqiptarë janë realizuar po ashtu me sukses dhe bashkëpunimi, pritet të vijojë i fortë edhe në vazhdim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore