Lajme

Francë/ Protestuesit kundër vaksinës COVID i kundërpërgjigjen Macron-it


Në qytete anembanë Francës janë mbledhur protestues kundër vaksinës që denoncojnë qëllimin e presidentit Emmanuel Macron për të “irrituar” të pavaksinuarit.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se për ta, lëvizja e tij shkon përkundër lirive të tyre civile. Prandaj dhe kanë vendosur të dalin në protestë të shtunën e 8 janarit.

Reagimi i tyre ka ardhur pasi këtë javë, Macron ka thënë se donte të irritonte të pavaksinuarit, duke ua ndërlikuar jetën aq sa do të përfundonin duke e marrë dozën.

Sipas tij, të pavaksinuarit ishin të papërgjegjshëm dhe të padenjë për t’u konsideruar qytetarë.

Por në Paris, protestuesit kanë brohoritur me zhargonin e tij, duke i thënë presidentit francezë se janë ata që do ta “irritojnë” atë.

Kurse të tjera kanë mbajtur ndër duar postera kundër vaksinimit, si përgjigje ndaj rregullave të reja për të paraqitur prova vaksinimi për të hyrë në ambiente të tilla si kafene, bare dhe muze.

Ndërkaq, nuk kanë munguar as përleshje mes protestuesve dhe efektivëve të policisë.

“Ne nuk jemi të papërgjegjshëm”, ka thënë një administratore spitali, Virginie Houget, e cila ka shmangur një urdhër të detyrueshëm të vaksinës për punonjësit e shëndetësisë.

Referuar “Reuters”-it, protestuesit akuzojnë Macron për shkeljen e lirive të tyre dhe trajtimin e pabarabartë të qytetarëve. Paçka se për të, liritë mbartin përgjegjësi që përfshijnë mbrojtjen e shëndetit të të tjerëve.

Të premten, vendi regjistroi më shumë se 300 mijë infektime të reja me coronavirus për herë të dytë brenda një jave.

Kurse hospitalizimet, duke përfshirë pacientët me COVID-19 në kujdesin intensiv, janë rritur në mënyrë të qëndrueshme, duke e tendosur sistemin e kujdesit shëndetësor.

Madje, disa spitale kanë raportuar se rreth 85 për qind e pacientëve nën kujdes intensiv nuk janë të vaksinuar.

Tanimë, francezët duhet të tregojnë ose prova të vaksinimit ose një test negativ për të hyrë në restorante dhe bare dhe për të përdorur trenat ndër-rajonal.

Por me rritjen e infektimeve me Omicron, qeveria dëshiron të heqë dorë nga opsioni i testimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore