Lajme

Franca kundërshton njohjen e shtetit palestinez aktualisht


Ministri i Jashtëm i Francës, Stéphane Séjourné, ka hedhur poshtë idenë e njohjes së Palestinës si shtet në kohën e tanishme.

“Pozicioni ynë është i qartë: njohja e Palestinës nuk është tabu për Francën,” tha ministri të mërkurën pas një takimi me homologun e tij izraelit, Israel Katz, në Paris.

Megjithatë, vendimi në favor të njohjes duhet të jetë i dobishëm, që do të thotë se ai mundëson përparim vendimtar në një nivel politik, tha Séjourné, duke theksuar se duhet të bëhet në kohën e duhur.

“Nuk është thjesht një çështje simbolike apo çështje pozicionimi politik, por një instrument diplomatik në shërbim të një zgjidhjeje me dy shtete që jetojnë krah për krah në paqe dhe siguri”, tha ministri i Jashtëm francez.

“Franca nuk beson se deri më sot janë plotësuar kushtet që ky vendim të ketë një ndikim real në këtë proces”.

Më herët të mërkurën, Norvegjia, Irlanda dhe Spanja thanë se do ta njohin Palestinën si shtet më 28 maj.

Vizita e Katz në Paris vjen pas pozicionimit të Francës në favor të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC), kryeprokurori i së cilës aplikoi për urdhërarrest të hënën kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, ministrit të mbrojtjes Yoav Gallant dhe tre liderëve të lëvizjes islamike palestineze Hamas, përfshirë Yehya al-Sinwar, i cili drejton Hamasin në Gaza.

Ministria e Jashtme e Parisit deklaroi se mbështet GJNP-në, pavarësinë e saj dhe luftën kundër mosndëshkimit në të gjitha situatat.

Pas takimit me Katz, Séjourné shkroi në X: “Kam riafirmuar prioritetet e Francës: lirimin e menjëhershëm të pengjeve, armëpushim, ndihma masive humanitare dhe dy shtete që jetojnë në paqe dhe siguri”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore