Lajme

“Fortuna 11”, trajnimi i FSK-së për operacione luftarake


Foto nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), ka realizuar ushtrimin fushor “Fortuna 11”, kjo me qëllim që të jetë e përgatitur për fazat e tjera të zhvillimit dhe ngritjes profesionale.

Lajmin e ka bërë të ditur FSK-ja përmes një komunikate për media.

“Në kuadër të ngritjes së kapaciteteve të këmbësorisë, Kompania e dytë B e Regjimentit të dytë të Këmbësorisë ka realizuar Ushtrimin fushor ‘’Fortuna 11” me qëllim që të jetë e përgatitur taktikisht dhe fizikisht për fazat tjera të zhvillimit dhe ngritjes profesionale”.

Ky trajnim sipas FSK-së i përgatit ata edhe për operacione luftarake.

“Ushtrimi është realizuar në kuadër të planit vjetor të trajnimeve ku ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve luftarake në mënyrë që të përgatis, trajnoj personelin në Nivelin T2, këmbësori e lehtë, detyrat kolektive të ushtarit në nivel skuadre në veprimet individuale dhe kolektive në operacionet luftarake”, thuhet në komunikatë.

Më 1 mars, edhe Policia e Kosovës së bashku me FSK-në kishte kryer trajnim të përbashkët për përgatitje fizike për realizimin e detyrave në kuadër të njësive të tyre.

Ky ishte njëri ndër trajnimet e para të përbashkëta mes FSK-së dhe Policisë së Kosovës.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kishte thënë se në operacionin “Interflex”, janë trajnuar nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), rreth 34 mijë rekrutë.

Maqedonci, kishte bërë të ditur se gjatë muajit janar kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), do të zbarkojë në Mbretërinë e Bashkuar për operacionin INTERFLEX.

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës kishte ofruar gatishmëri që të angazhojë instruktorë për të ndihmuar procesin e stërvitjes së ushtrisë ukrainase në kuadër të këtij operacioni.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore