Lajme

FSK-ja dhe Policia e Kosovës me stërvitje të përbashkët për përgatitje fizike


Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policia e Kosovës, kanë kryer trajnim të përbashkët për përgatitje fizike për realizimin e detyrave në kuadër të njësive të tyre.

Lajmin e ka bërë të ditur FSK-ja përmes një komunikate për media.

“Komanda e Forcave Tokësore në Istog, ka realizuar trajnimin “Taktika me Njësi të Vogla” i adaptuar nga programi trajnues Pri-Rengjers i Ushtrisë Amerikane”.

“Përveç pjesëtarëve të Komandës së Forcave Tokësore, pjesë e këtij trajnimi ishin edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ku së bashku treguan përkushtim,  disiplinë dhe gatishmëri të lartë për të operuar si pjesë e ekipit në të gjitha rastet kur kërkohet angazhimi i tyre”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Nga FSK-ja është treguar edhe arsyeja e kryerjes së këtij trajnimi.

“Me qëllim të ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe  gatishmërisë fizike të pjesëtarëve, Forca e Sigurisë së Kosovës organizon trajnime të tilla sfiduese që pjesëtarët të jenë sa më të përgatitur fizikisht dhe profesionalisht për realizimin e detyrave në kuadër të njësive të tyre”.

Ky është njëri ndër trajnimet e para të përbashkëta mes FSK-së dhe Policisë së Kosovës.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se në operacionin “Interflex”, janë trajnuar nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), rreth 34 mijë rekrutë.

Maqedonci, kishte bërë të ditur se gjatë muajit janar kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), do të zbarkojë në Mbretërinë e Bashkuar për operacionin INTERFLEX.

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës kishte ofruar gatishmëri që të angazhojë instruktorë për të ndihmuar procesin e stërvitjes së ushtrisë ukrainase në kuadër të këtij operacioni.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore