Lajme

Forcat izraelite sulmojnë bazat ushtarake të Hamas-it


Avionët luftarakë izraelitë kanë kryer sulme ajrore në disa vende në Rripin e Gazës. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të së premtes dhe erdhi si kundërpërgjigje ndaj një rakete të hedhur nga enklavat palestineze që goditi Izraelin e jugut.

Avionët luftarakë dhe helikopterët goditën një “magazinë prodhimi armësh, një tunel ku fshiheshin armët dhe një post ushtarak” që menaxhoheshin nga lëvizja që qeveris Gazën, Hamas. Lajmi u bë i ditur nga ushtria izraelite, gjatë një në një deklaratë të premten.

“Ne nuk do të tolerojmë asnjë kërcënim për civilët izraelitë,” shtuan ata.

Një burim sigurie në Gaza njoftoi se nuk kishte pasur viktima nga sulmi, shkruan agjencia mediatike, Al Jazeera.

Agjencia e lajmeve palestineze, Maan, njoftoi se sulmi izraelit filloi me bombardime lindje të Juhr al-Dik, një qytet në Gazën qendrore. Raketat dhe dronët, thuhet në lajme, synuan vende të ndryshme, duke përfshirë tokat bujqësore në lagjen juglindore të Al-Zaytoun dhe në lindje të kampit të refugjatëve, Al-Bureij në Gazën qendrore.

Sulmi i fundit vjen disa javë pasi ushtria izraelite kreu sulme gjatë natës kundër pozicioneve të Hamasit në pjesën jugore të Rripit.

Grupet palestineze, përfshirë Hamasin, i kanë bërë thirrje Izraelit që t’i japë fund bllokadës së tij 14-vjeçare në enklavë, e cila është shtëpia e 2 milionë njerëzve.

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) e ka quajtur Gazën një “burg të hapur” me banorë që durojnë varfëri ekstreme mes kushteve që janë përkeqësuar që nga pandemia e coronavirus-it.

Qindra palestinezë janë vrarë vitet e fundit ndërsa protestuan kundër bllokadës, të cilën Izraeli ka justifikuar për arsye sigurie.

Një armëpushim i brishtë është në fuqi gjatë viteve të fundit edhe pse ka pasur përplasje të herëpashershme, ku palestinezët gjuanin me raketa Izraelin dhe ky i fundit i përgjigjej me sulme ajrore në enklavën bregdetare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore