Sport

Fitoi Ligën e Kampionëve me Chelsea-n, mbrojtësi tërhiqet nga futbolli në moshën 36-vjeçare


Qendërmbrojtësi anglez, Gary Cahill, është tërhequr nga futbolli i luajtur në moshën 36-vjeçare.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Cahill, i cili përmes një postimi në faqen e tij në rrjetet sociale, ka lajmëruar se është pensionuar nga futbolli.

”Futbolli është një lojë që më ka dhënë kaq shumë gëzim dhe suksese. Kam vendosur të tërhiqem, sepse kam dhënë gjithçka nga vetja dhe ajo që mund të jepja”, tha mes tjerash Cahill.

36-vjeçari ishte pa klub që nga vera e kaluar, derisa mbylli aventurën e tij të fundit te skuadra e Bournemouth.

Vitet më të mira, Cahill i kaloi në Chelsea, ku luajti për tetë sezone duke e fituar një herë Ligën e Kampionëve, dhe nga dy herë Premier Leauge-n, FA Cup, dhe Ligën e Evropës.

Qendërmbrojtësi gjithashtu veshi 61 herë fanellën e kombëtares angleze, duke gjetur në pesë raste rrugën e rrjetës.

Ndërkaq, Cahill luajti gjatë karrierës së tij edhe me skuadra si Aston Villa, Burnely, Crystal Palace, Bournemouth, Bolton dhe Sheffield United.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore