Lajme

Fitimet e Volvo-s në nivele më të larta se para pandemisë


Kompania suedeze e automjeteve, Volvo Cars, ka raportuar një kthim në fitim në gjysmën e parë të vitit pasi kërkesa për makina elektrike shtyu fitimet mbi nivelet para-pandemisë.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se kjo e ka vendosur prodhuesin e makinave në një bazë më të fortë pasi konsideron hyrjen në një ofertë fillestare publike të mundshme gjatë këtij viti.

Në pronësi të Geely Holding të Kinës, por me bazë në Suedi, Volvo ka njoftuar se ka arritur një fitim në gjysmën e parë të vitit prej 1.52 miliardë dollarë, më shumë se dyfishi i fitimit në periudhën përkatëse të vitit 2019, para se të goditej nga coronavirusi.

Ngjashëm me disa prodhues të tjerë automjetesh, kompania është detyruar të shkurtojë prodhimin për shkak të mungesës globale të gjysmëpërçuesve, por ka thënë se një rikuperim i fortë i tregut nga rënia e vitit të kaluar gjatë pandemisë ndihmoi në rritjen e të ardhurave të gjysmës së parë të vitit me 26 për qind.

“Efekti pandemik, kur bëhet fjalë për biznesin tonë, ne nuk e shohim më atë”, ka thënë për Reuters shefi ekzekutiv i kompanisë, Håkan Samuelsson.

Ai ka shtuar se “të gjithë punonjësit tanë nuk janë vaksinuar ende, por shitjet dhe prodhimi janë vërtet atje ku ishim”.

Kompania, e cila po sheh mundësitë e një ofertë fillestare publike para fundit të këtij viti, ka bërë me dije se të gjitha rajonet e saj treguan rritje solide dhe përmirësim të aksioneve të tregut, me makina që përfaqësojnë 25 për qind të shitjeve totale.

Samuelsson ka dalluar se procesi i vlerësimit përpara një oferte të mundshme po përparonte sipas planit, duke shtuar se firma po mendonte ende të renditej në bursën e Stockholm-it në gjysmën e dytë të vitit 2021.

“Kompania qëndron më e fortë se kurrë dhe ne jemi në mes të një transformimi shumë thelbësor…ajo duhet të financohet dhe hyrja në tregun e aksioneve është sigurisht pozitive”, ka vijuar Samuelsson.

Në fillim të pandemisë, Volvo ishte pjesë e atyre që u prekën shumë, duke u zhytur në një humbje prej 989 milionë në gjysmën e parë të vitit 2020.

Për sa i përket, fillimit të këtij muaji, kompania ka thënë se shitjet në gjysmën e parë u rritën me 41 për qind në 380 mijë e 757 makina të shitura.

Gjithashtu Volvo ka në plan të bëhet një prodhues makinash plotësisht elektrike deri në vitin 2030, të shesë 600 mijë automjete elektrike me bateri në mes të dekadës dhe të ndërtojë një fabrikë evropiane të baterive në vitin 2026.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore